E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hapja e negociatave, Rama poston foton: Krenar! Flamuri i Skënderbeut në oborrin e Europës

19 korriku ishte një ditë historike për Shqipërinë, ku pas vitesh të tëra pritje e zvarritje, zyrtarisht u hapën negociatat e anëtarësimit në BE. Kryeministri Edi Rama ka postuar sot (20 korrik) një foto të flamurit shqiptar të vendosur në selinë e KE në Bruksel, teksa shkruan se ndjehet krenar që ai po valëvitet në “oborrin e Europës”.

“Mirëmëngjes me krenari për flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës”, shkruan Rama krahas fotos.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën dje negociatat e anëtarësimit, megjithatë procesi që vjen më pas nuk do të jetë i lehtë.

Në total janë 35 kapituj që duhet të hapen dhe të mbyllen gjatë diskutimeve me dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. I gjithë procesi i bisedimeve është konceptuar në metodologjinë e BE-së si proces përgatitor, që përafron legjislacionin e vendit kandidat me atë të BE-së, përgatit përmes forcimit të pavarësisë dhe rritjes së efikasitetit e profesionalizmit institucionet e vendit kandidat deri kur të gjitha vendet anëtare të unionit të vlerësojnë se vendi kandidat është gati për anëtarësim.

Kapituj nisin nga bujqësia, mjedisi, peshkimi e deri te drejtësia, liritë e të drejta themelore të njeriut dhe konkurrenca e tregu i lirë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›