E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hafizi: “Shkarkimi im, i padrejtë”

Ish-trajneri i Tiranës, Astrit Hafizi, i shkarkuar urgjentisht pas barazimit të vështirë 2-2 me Elbasanin në javën e 18-të të Kategorisë Superiore, e konsideroi si të padrejtë vendimin e donatorëve të Tiranës. Astrit Hafizi, i cili e pranoi detyrën pas shkarkimit të Sulejman Starovës dhe Ardian Memës (të komanduar) tha: “Vendimi i donatorëve nuk ka të bëjë fare me rezultatet e mia si trajner i skuadrës, sepse unë ato i konsideroj pozitive”.
Tekniku shkodran arriti t’i japë një impuls pozitiv fillimit më të keq të Tiranës në 25 vitet e fundit, duke koleksionuar në 14 takime të drejtuara prej tij 7 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, ku spikat pa dyshim fitorja 2-0 me Dinamon kryesuese. Humbja 4-1 me Vllazninë dhe barazimi 2-2 me Elbasanin, por sidomos fakti që 23 herë kampionët ndodhen 11 pikë larg Dinamos, ishte dhe faktori kryesor që rrëzoi trajnerin simpatik.
“Kam dhënë maksimumin tim si trajner dhe e mendoj si të padrejtë shkarkimin tim dhe emocional nga ana e drejtuesve bardheblu”, - përfundoi Astrit Hafizi, i zëvendësuar të dielën në mbrëmje nga Sulejman Mema. Besohet se Astrit Hafizi përfitoi 25 milionë lekë të vjetër gjatë kohës që drejtoi Tiranën.

Grushti i Grimës: 1 milion lekë

Nuk dihet saktësisht se sa përfitojnë nga kontrata e tyre dy futbollistët veteranë të Vllaznisë, portieri Armir Grima (33 vjeç) dhe mesfushori i avancuar, Uliks Kotrri (32 vjeç), por gjithsesi xhepi ka për t’u “dhembur” dy lojtarëve shkodranë. Nuk janë pak 1 milion lekë të vjetër për një gjest banal si ai goditje me grusht të kundërshtarit gjatë ndeshjes Kastrioti-Vllaznia 3-1. Këtë e vendosi Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Grima, i cili godit me grusht kundërshtarin dhe Kotrri, që përdori kokën për goditje, u pezulluan edhe me nga pesë javë pezullim duke e rënduar akoma më shumë situatën në kampin shkodran pas përjashtimit të Franc Ahit (25 vjeç) dhe Ervis Krajës (24 vjeç).
Disiplina nuk miratoi kërkesën e ish-lojtarit të Vllaznisë, brazilianit Leandro da Silva (29 vjeç). Edhe Alban Kucit nuk iu miratua kërkesa për të qenë lojtar i lirë nga Tomori, po kështu edhe Migel Metani do të mbetet futbollist i Erzenit. I lirë do të jetë Ergis Tare i Gramozit, por dhe futbollisti Daniel Drabaj (23 vjeç), i cili në pjesën e parë të sezonit luajti me Skënderbeun.

Enco Malindi, magjia dhe problemet vazhdojnë

“Rebeli” Enco Malindi vazhdon të mahnisë me paraqitjet e tij presidentin e Slavias, Venislav Stefanov, ndërkohë që presidenti i Partizanit, Albert Xhani, i mbahet qëndrimit të linjës së ashpër ndaj sulmuesit duke kërkuar që lojtari të kthehet urgjentisht në Shqipëri. Talenti i “demave” edhe të mërkurën ishte pjesë e formacionit të ekipit bullgar në miqësoren e Sllavias kundër skuadrës koreane FC Seul, takim i luajtur në Turqi dhe që u mbyll në barazim 1-1. Presidenti Stefanov pohoi për faqet sportive bullgare se kishte mbetur i kënaqur nga loja e Malindit dhe Zoran Beloshoviçit dhe se do të vazhdonte tratativat me klubin shqiptar për të blerë kartonin e futbollistit.
Enco Malindi shënoi golin e parë për fanellën e Slavias në miqësoren kundër Sportist Svego (1-1), gol i realizuar në minutën e tretë të atij takimi.

7 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›