E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresat kuqezezë nuk japin shpresë

Maqedonia na kthen reston duke fituar 1-0 në Vlorë, ndërkohë që në miqësoren vitit 2007 Shqipëria U-21 fitoi po 1-0 në Manastir.
Formacioni i Mirsad Jonuz, në gjirin e të cilit kishte edhe katër lojtarë shqiptarë, fitoi me golin e Gligorov (34’), në një ndeshje që të dyja ekipet e mbyllën me nga dhjetë lojtarë.
Mesfushori sulmues i Partizanit, Elis Bakaj, mund të konsiderohet humbësi i madh i miqësores me skuadrën maqedonase të Mirsad Jonuz, pasi jo vetëm shpërdoroi rastin më të mirë për Shpresat tona, kur humbi penalltinë e fituar nga Arbër Abilaliaj në minutën e 13-të, por u ndëshkua edhe më karton të kuq nga gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci në minutën e 75-të.
Shqipëria U-21 e Artan Bushatit zhvilloi një lojë të zbehtë, ku as fantazia e futbollistit të Tiranës, Jahmir Hyka dhe as këmbëngulja e sulmuesit të Partizanit, Arbër Abilaliaj apo përpjekjet e shkodranëve Nevian Cani dhe Gilman Lika nuk prodhuan golin e dëshiruar nga tifozët e paktë vlonjatë në stadiumin “Flamurtari”.
Shqipëria U-21 pati rastin më të mirë kur pas një aksioni personal të vlonjatit Arbër Abiliaj, Jareci dha penallti për ekipin shqiptar në minutën e 13-të. Bakaj mori përsipër goditjen nga pika e bardhë, por sfera e goditur keq nga futbollisti i Kombëtares u grushtua nga portieri mik, duke u hequr mundësinë Shpresave të kalonin në avantazh.
Minuta e 29-të solli momentin e dytë emocionues për shikuesit, kur futbollisti i Flamurtarit, Zeqiri, goditi shtyllën pas një gjuajtje me kokë.
Fatale për ekipin tonë ishte minuta e 34-t, kur Gligorov, duke shfrytëzuar dhe pasigurinë e portierit 17-vjeçar Shpëtim Moçka, realizoi dhe golin e vetëm të këtij takimi.
Fraksioni i dytë i lojës solli edhe shtyllën e dytë për Shqipërinë, kur sulmuesi i Partizanit goditi me kokë në minutën e 69-të.
Njëzet minutat e fundit sollën edhe dy kartonë të kuq, fillimisht për Elis Bakaj (pas dy kartonëve të verdhë) – Bakaj mori një karton të tillë edhe në ndeshjen zyrtare me Azerbajxhanin (0-0) dhe pas një minute, në të 75’, me karton të kuq u ndëshkua edhe shqiptari i formacionit të Maqedonisë, Adrian Çuçuli, lojtar ky që refuzoi ofertën e Tiranës gjatë merkatos dimërore.
Në minutën e 87-të Shqipëria U-21 pati dhe rastin më të mirë, kur Nevian Cani ndërmori aksion personal në afërsi të zonës kundërshtare, por topi i mbërritur te Gilman Lika u gjuajt pa forcën e duhur, duke u pritur nga portieri maqedonas.
Përfundimisht 1-0 për Maqedoninë, por që nxori në pah një Shqipëri me probleme në prag të ndeshjes zyrtare të 26 marsit me Greqinë.

Gjermanët e konsiderojnë “humbje” barazimin 0-0 me Shqipërinë

Edhe pse Shqipëri-Gjermani është luajtur 40 vjet më parë, saktësisht më 17 dhjetor 1967, barazimi 0-0 ende u djeg gjermanëve, pasi u detyruan që të mos marrin pjesë në finalet e Kampionatit Europian 1968.
Faqja gjermane në internet rp-online.de e konsideron atë si një humbje, duke e përfshirë në shkrimin me titullin “Legendäre Niederlagen” (Humbje legjendare).
“Gjermania u kualifikua me meritë në Kampionatin Europian 2008, por është koha të kujtojmë edhe disa nga humbjet më të mëdha që kombëtarja jonë ka pësuar në historinë e pas-Luftës (të Dytë Botërore). Legjendare mbetet humbja 0-1 me Gjermaninë Lindore në Kampionatin Botëror 1974, me golin e Shparvaserit, por dhe ajo 2-3 me Austrinë në Kampionatin Botëror 1978. Në Vitin 1986 sërish një humbje 1-4 me Republikën e alpeve. Pas një barazimi 0-0 kundër Shqipërisë në vitin 1967 Gjermania humbi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian”, - shkruan rp-online.de.
Faqja gjermane kujton edhe humbjet 5-1 me Anglinë dhe 4-1 me Italinë, kur vetëm disa muaj më vonë Gjermania doli e treta në botë. Humbje e thellë e Gjermanisë është dhe ajo 8-3 me Hungarinë në finalet e Kampionatit Botëror 1954.
Kombëtarja gjermane ka luajtur nga viti 1908 gjithsej 798 ndeshje ndërkombëtare. Bilanci: 455 fitore, 164 humbje dhe 179 barazime, golaverazhi 1775:965.

7 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›