Haga: Asnjë urgjencë për çështjen e pavarësisë
HAGE- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ende nuk ka nisur procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas kërkesës së parashtruar nga Asambleja e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Burime të afërta me Gjykatën në Hagë i thanë BBC-së, se OKB-ja nuk ka kërkuar që rasti i Kosovës të shqyrtohet me urgjencë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi pak javë më parë, një rezolutë të Serbisë, me të cilën kërkohet një këshillë nga GJND në lidhje me shpalljen e pavarësisë nga Kosova. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, nga ana e tyre, kanë kërkuar nga Gjykata. që kur të shqyrtojë rastin t'i mundësojë edhe Kosovës paraqitjen e argumenteve të saj. Zyrtarë të Gjykatës thanë se ende nuk e dinë statusin ligjor të Kosovës dhe nëse ajo ka të drejtën që të paraqesë pikëpamjet e saj para tyre.
(s.g/BalkanWeb)