Hagë, Haradinaj nesër para gjykatës
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy të akuzuarit e tjerë, Idriz Balaj dhe Lah Ibrahimaj, pritet të dalin nesër para Gjykatës së Hagës. Rigjykimi i Haradinajt ndodh pas lirimit të tij nga 37 akuzat po nga kjo gjykatë, në muajin prill të vitit 2008.
Sipas AFP-së, të enjten Prokuroria dhe mbrojtja do të paraqesin dëshmitë e tyre, ndërsa të premten do të nisë shqyrtimi kryesor.
Koordinatori i ekipit të mbrojtësve të Ramush Haradinajt, Michael O`Railly ka deklaruar ditë më parë se është i bindur se lideri i AAK-së do të shpallet i pafajshëm dhe rigjykimi do të përfundojë brenda 3-4 muajve.
Edhe partia e Haradinajt beson në pafajësi të liderit të saj. “Ne besojmë në drejtësi dhe jemi të bindur se Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm”, ka theksuar më herët Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
Avokati Michael O`Railly është shprehur se nuk ka asnjë fakt që implikon Ramush Haradinaj në akuzat për të cilat pretendon Prokuroria e Gjykatës së Hagës.
“Nuk besoj se ka ndonjë fakt kundër tij. Sjellja e tij gjatë gjithë kohës ka qenë shembullore, jashtëzakonisht e mirë. Nuk ka asnjë fakt të vetëm që ai është sjellë keq lidhur me ndonjë nga incidentet që përmenden në aktakuzë”, ka thënë ai.
Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Dukagjinit do të rigjykohet sërish në Gjykatën e Hagës.
Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do të gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Gjykatën e themeluar nga Kombet e Bashkuara.
Rreth dy vjet e gjysmë pasi ishte shpallur i pafajshëm nga gjitha akuzat për krime lufte, Haradinaj sërish ka udhëtuar vullnetarisht në Hagë, për rigjykim. Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit që nga 21 korriku 2010. Rigjykimi i pjesshëm ndaj tre luftëtarëve të UÇK-së u shpall një ditë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.