Hagë, Ratko Mlladiç merret në pyetje nga gjykatësit

Ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç po merret në pyetje për të parën herë që nga dita e ekstradimit para Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës.
Gjykatësit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë i kanë kërkuar Mlladiçit të identifikohet dhe t`u përgjigjet pyetjeve për gjëndjen e tij shëndetësore.
Gjykatësi i ka lexuar të drejtat Ratko Mlladiçit dhe më pas ai është pyetur nëse i kupton ato dhe nëse është njohur me akuzat të cilat i janë paraqitur atij edhe në gjuhën serbe. “I kam ato dokumente por nuk kam lexuar se çfarë shkruhet aty. Më duhen të paktën 2 muaj të njihem me to” theksoi Mlladiç.
Ndaj Ratko Mlladiç janë ngritur 11 akuza të cilat lidhen kryesisht me masakrën më të madhe të pas luftës së Dytë Botërore, atë të Srebrenicës.
Në zonën boshnjake u vranë dhe u masakruan plot 8 mijë civilë të pafajshëm të cilët i përkisnin komunitetit mysliman. Ndërkaq, mbrëmjen e djeshme avokati i Mlladiç lajmëroi se ish gjenerali ishte shtruar në spitalin e Hagës.
Nga disa të dhëna paraprake është raportuar se Mlladiç ka vuajtur para dy vitesh nga sëmundja e Limfomas.
Ratko Mlladiç u arrestua disa ditë më parë në një fshat të Beogradit ndërsa sot ai pritet që t`i përgjigjet akuzave për genocid, krime lufte dhe krime kundër njërëzimit që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Bosnjë, nga viti 1992 – 1995.