Hague: Kosova të vijojë me reformat për në BE
Ministri i Jashtëm britanik, William Hague ka ofruar mbështetjen e Mbretësisë së Bashkuar për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, Hague theksoi se Kosova duhet të bëjë përparim në rrugën e saj të integrimit.
"Britania është mbështetëse e zgjerimit të BE-së duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova ka bërë hapa përpara dhe tani është hapur një kapitull i ri për marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së dhe Kosova duhet të bëjë përparim dhe të konsiderohet si çdo vend tjetër. Duhet të bëhen reforma thelbësore, si në ekonomi, në sundimin e ligjit, në reformën zgjedhore dhe në administratën publike” tha Hague.
Ministri i jashtëm britanik, gjithashtu shprehu rëndësinë për arritjen e përparimit në të gjitha fazat e bisedimeve drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, por theksoi se dialogu nuk duhet të jetë i pafund.
Pa dashur të komentojë nëse qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, Hague tha se duhet bërë përparim në të gjitha fazat e këtij procesi. “Është me rëndësi që të bëhet një lloj përparimi i vazhdueshëm në të gjitha fazat dhe që të vazhdojë puna. Duhet bërë përparim në të gjitha fazat. Në fazën e parë baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të zgjojnë interesin e të dyja palëve”, u shpreh Hague.
Duke folur për procesin e bisedimeve, kryeministri Thaçi tha se ka kaluar koha e konflikteve në rajon ndërsa është hapur ai i integrimit europian Kreu i ekzekutivit kosovar tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë në interesin e të gjithë popujve në rajon.
“Kosova është gati për të vazhduar këtë proces. Është ndërtuar një konsensus i gjerë politik shumë-partiak e gjithë-etnik. Është me rëndësi që bota demokratike dhe BE-ja është mbështetës për iniciativat e baroneshës Ashton”, u shpreh ai.
Megjithatë, as Thaçi nuk dha afat për mundësinë kur Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës. “Duhet të jemi realistë. Nuk duhet të presim që Serbia ta njeh Kosovën në ditët javët apo muajt e ardhshëm. Por, presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën.”, u shpreh ai.
Serbia vazhdon të kundërshtojë fuqishëm mundësinë për njohjen e Kosovës, ndërsa ka theksuar se qëllimi i bisedimeve me palën kosovare do të jetë normalizimi i raporteve drejt integrimit në BE.
Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës i është vënë Beogradit si parakusht për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.