E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hague-Thaçit: Plan për integrimin e veriut

Kryeministri Hashim Thaçi është takuar sot me sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për procesin e reformave të gjithëmbarshme në Kosovë, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Thaçi e njoftoi Hague me punën që është bërë nga Qeveria për të realizuar të gjitha obligimet që dalin nga agjenda e integrimit evropian të Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha reformat strukturore në ekonomi, politikë dhe legjislacion.

Kryeministri shprehu vendosmërinë e Qeverisë për forcimin e qeverisjes së mirë, efikase, transparente, thellimin e përkushtimeve për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, si dhe në veçanti përkushtimet institucionale për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri ritheksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë vetëm pasi që marrëveshjet e arritura të nisin të implementohen.

Nga ana e tij, Hague e ka siguruar kryeministrin Thaçi që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, sidomos në rrugën për t`u bërë anëtare e BE-së.

Hague vlerësoi progresin e Kosovës dhe kërkoi nga kryeministri Thaçi të vazhdojë reformat e nevojshme, sidomos në gjetjen e një plani për integrimin e komunitetit serb që jeton në veri të vendit.

Sekretari Hague e mirëpriti progresin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij dialogu, në mënyrë që të dy vendet fqinje të kenë mundësi të arrijnë progres drejt anëtarësimit në BE, thuhet në fund të komunikatës së Kryeministrisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›