E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdari takim me përfaqësinë e njësive administrative të bashkisë Tiranë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Prefekti i Tiranës Shkëlqim Hajdari zhvilloi sot një takim pune me administratorët e njësive administrative të bashkisë Tiranë, për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Hajdari njoftoi se në qendër të diskutimeve ishin çështje me rëndësi të veçantë për komunitetin, si menaxhimi i zjarreve, pastrimi i qytetit, gjendja e infrastrukturës rrugore, evidentimi i kultivimit të paligjshëm të kanabisit, si dhe problematikat administrative dhe juridike në raport me Institucionin e Prefektit.

Sipas tij, një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të kapaciteteve në terren, përmes krijimit të grupeve vullnetare të mbrojtjes nga zjarri dhe trajnimi nga specialistët e MZSH-së, si element kyç për përballimin e emergjencave.

“Nga njësitë administrative të qytetit u evidentuan problematika që lidhen me zënien e hapësirave publike, si dhe nevoja për rritjen e koordinimit ndërmjet administratorëve dhe drejtorive të Bashkisë Tiranë, me qëllim zgjidhjen më efektive të çështjeve në territor”, tha Hajdari.

“Ndërkohë nga njësitë administrative të fshatrave doli ne pah veçanërisht në zonat rurale, nevoja për hartimin e planeve konkrete që mundësojnë hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve në zonat pyjore dhe të mbrojtura, duke garantuar akses të plotë për strukturat e MZSH dhe reagim të shpejtë në çdo situatë emergjente”, vijoi ai.

Në përfundim, u dakordësua që Prefekti do të zhvillojë takime në çdo njësi administrative, për të evidentuar nga afër problematikat dhe për të adresuar zgjidhje konkrete.

Gjithashtu, u la detyrë që të gjitha njësitë të përgatisin një material të përbashkët, ku të pasqyrohen problematikat ekzistuese dhe propozimet konkrete për rritjen e efektivitetit të tyre.


/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›