Hakersat serbë sulmojnë Postën Shqiptare
Provokime serbe në web-in e Postës Shqiptare. Flamuri trengjyrësh dhe mbishkrimi "Kosova është Serbi" sulmojnë për 30 minuta faqen
Drejtuesit e Postës thonë se agresioni vjen pas emetimit të pullave me simbolikë "Pavarësia e Kosovës" dhe marrjes së ftesës nga Shqipëria për në NATO
Hakersat serbë kanë ndërmarrë, gjatë mëngjesit të djeshëm, një sulm brutal ndaj faqes zyrtare të web-it të Postës Shqiptare, duke vendosur mbi të thirrje ultranacionaliste, si "Kosova është Serbi" apo "Luftoni me më të mirët dhe vdisni si gjithë të tjerët. Mirësevini në botën tonë". Sulmi i paprecedent është konstatuar nga zyrtarët e postës, të cilët kanë mbetur të shtangur nga forma dhe natyra e shpërfytyrimit të faqes zyrtare të web-it. Menjëherë pasi janë vënë në dijeni për sulmin, drejtuesit e Postës i kanë kërkuar hostesit të web-it, të mbyllë urgjentisht faqen, kjo për të ruajtur të dhënat e mbetura në faqe. Më shumë se piratesk, sulmi i djeshëm në faqen zyrtare të ueb-it të Postës Shqiptare, duket se fsheh prapavijë politike, të frymëzuar nga qarqet radikale, që ende nuk e përtypin dot faktin se Kosova tashmë është e pavarur. Paçka se është herët për të ngritur dyshime mbi autorësinë e sulmeve, specialistët e Postës thonë se natyra e logove nuk lë shumë vend për hamendësime mbi autorët e agresionit të kryer. Hipotezat përforcohen më shumë edhe pas mbulimit të faqes së web-it nga flamuri trengjyrësh serb, me kryqin ortodoks në anë. Gjithsesi, përgjigjen e saktë se kush ndërmori sulmin ndaj faqes zyrtare të ueb-it të Postës Shqiptare, do ta japë hostesi i këtij web-i, i cili thuhet se është një kompani private Interneti. Do të jetë ky i fundit, gjithmonë sipas specialistëve, që do të japë edhe llogari mbi sistemin e sigurisë së faqes, shkatërrimi i së cilës për pak rrezikoi të linte pa informacion qytetarët që janë të interesuar mbi shërbimet që ofron Posta Shqiptare.
***
Po përse hakersat serbë, nëse verifikohen se janë të tillë, nuk sulmuan faqen e Kryeministrisë, apo edhe të ministrive të tjera, me rol kyç në jetën e vendit, por gjetën pikërisht si shënjestër të tyre, faqen zyrtare të web-it të Postës Shqiptare? Për specialistin e IT-së në Postën Shqiptare, Vangjush Andoni, ky veprim i ndërmarrë nga piratët, ka vetëm një shpjegim, i cili nuk është gjë tjetër veçse "hakmarrje" për veprimtarinë e Postës gjatë muajve të fundit. "Ajo që di të them, është se ky sulm bëhet me qëllim uljen e imazhit të Postës Shqiptare. Arsyet, formën dhe personat përgjegjës, është ende herët për t'i gjetur, pasi për të arritur në konkluzione të sakta duhet të bisedojmë fillimisht me nënkontraktorin e faqes, i cili do të japë shpjegim lidhur mbi sulmin e ndërmarrë nga hakersat. Ajo që dimë deri tani është fakti se në faqen e ueb-it, janë gjetur shprehje që flasin hapur kundër shqiptarëve, si "Kosova është Serbi" apo edhe të tjera, që nuk është se ndryshojnë shumë për nga përmbajtja. Faktin që kanë zgjedhur faqen zyrtare të Postës dhe jo të një tjetër institucioni shtetëror, ka të bëjë me vetë nismat që ka ndërmarrë së fundi Posta Shqiptare, siç janë emetimi i pullave me temë nga Shpallja e Kosovës shtet i Pavarur, apo edhe marrja nga Shqipëria e ftesës për në NATO. Këto nisma si duket kanë prishur rehatinë e disa individëve, të cilët më pas kanë marrë edhe një veprim të tillë",- ka pohuar specialisti Andoni ndërsa ka informuar se menjëherë pas verifikimit të sulmit pirat mbi faqen, ka filluar puna për rindërtimin dhe vënien e saj në funksion të qytetarëve.
***
Sulmi i djeshëm, është arkivuar si i pari në llojin e tij për faqen zyrtare të web-it të Postës Shqiptare. Këtë fakt e kanë konfirmuar për gazetën "Shekulli" edhe zyrtarë të postës, të cilët thonë se nuk ishin përballur kurrë më përpara me një situatë të tillë. Për fat të mirë, faqja, e cila ishte e mbushur në të gjithë hapësirën e saj me logon "Kosova është Serbi", është mundur të vihet në funksion të qytetarëve gjatë orëve të pasdites së djeshme. Sulmi ndaj faqes së Postës Shqiptare, vjen si për rastësi, në një ditë me lajmin se në muret e qytetit të Kukësit, në veri të vendit, janë shfaqur parulla me simbole nacionaliste serbe, që i fryjnë gjuhës së urrejtjes midis dy popujve. Nuk dihet se sa lidhje kanë këto ngjarje me njëra-tjetrën, por një gjë është e sigurt, se provokime të tilla kanë lidhje kryekëput me shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Të gjendur përballë këtij fakti, serbët, të cilët e kanë vështirë të përtypin statusin e ri të Kosovës, po përdorin agjitacionin si mjet presioni, duke ndërhyrë së fundi edhe në faqet shqiptare të web-it, çka tregon pikun më të lartë të dëshpërimit në të cilin është zhytur ky vend.
Precedenti
Berisha dhe "hakersi"
Një precedent i tillë, por jo i ngjashëm për nga forma, ngjau dy javë më parë edhe me faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, kur një person i apasionuar pas Internetit, rikrijoi faqen e web-it të Qeverisë, pa e ditur se për veprimin e kryer do të kallëzohej penalisht nga organi më i lartë ekzekutiv në vend. Ermir Topi, banues në Tiranë, ndërtoi një faqe të tijën të Këshillit të Ministrave, ku mbizotëronin dozat e humorit. Kjo gjë solli edhe reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Sali Berisha, i cili duke mos pasur informacion mbi atë që kishte ndodhur, e cilësoi klonin e web-it të qeverisë si "veprim klandestin hakersash", pa e ditur se ishte thjesht një faqe e zakonshme web-i, që mund ta hapë çdokush, qoftë edhe duke paguar pak para për domenin dhe hostimin. Faqja, e cila vazhdon të jetë e hapur për vizitorët, do të vazhdojë të qëndrojë e tillë përgjatë një viti, deri në përfundimin e licencës së shfrytëzimit të domanit të dhënë nga ERT (Enti Rregullator i Telekomunikacionit).
"Klonet" e Shtëpisë së Bardhë
Një rast i tillë i ngjashëm me klonin shqiptar të qeverisë shqiptare, është edhe faqja zyrtare në internet e Shtëpisë së Bardhë ëhitehouse.gov. Aty publikohen qëndrimet zyrtare të administratës së Presidentit amerikan. Por nëse viziton ëhitehouse.org, do të shohësh një faqe tërësisht të njëjtë, vetëm se përmban humor mbi presidentin Bush. Kloni i faqes së Shtëpisë së Bardhë është hapur që në vitin 2001. Në vitin 2003, Shtëpia e Bardhë pati një konflikt me autorët e kësaj faqeje, të cilët u mbrojtën me Amendamentin e Parë, (E drejta e fjalës).