E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, procese gjyqësore për ngjarjet e 2001-it

Të martën do të hyjë në procedurë gjyqësore një nga hetimet e rasteve të Hagës nga konflikti në vitin 2001 që akuzon ish-pjesëtarë të UÇK-së.Gjykata e Hagës nuk procedoi këto raste sepse, siç tha, nuk kishte prova për akuzat që ishin ngritur nga autoritetet maqedonase.

Shtatëmbëdhjetë persona akuzohen nga autoritet e vendit se kanë rrëmbyer dhe keqtrajtuar pesë punonjës të ndërmjarjes maqedonase të ndërtimit "Mavrovo".

Në tre prej rasteve të kthyera janë të përfshirë dhe personalitete politike të PDSH-së dhe BDI-së, ndër të cilët edhe kryetari i kësaj të fundit, Ali Ahmeti.

Por tani njëri prej këtyre rasteve do të futet në procedurë gjyqësore në gjykatatën e Maqedonisë.

Prokurori i Përgjithshëm, Lupço Shvërgovski, konfirmoi për mediat e vendit se dosja e këtij rasti është analizuar pasi është përkthyer dhe është vendosur se ka bazë që ajo të procedohet në gjykatat e vendit.

Reagime

BDI-ja, e cila kryesisht përfshiu ish-pjesëtarë të UÇK-së, reagoi duke thënë se nuk është e pranueshme shqyrtimi i këtyre rasteve nga gjykatatat e vendit.

Ajo i referohet Ligjit për Amnisti, i cili përfshin të gjitha veprimet gjatë konfliktit të vitit 2001.

Rafiz Haliti, ish-pjesëtar i UÇK-së dhe kandidat për deputet i BDI-së, thotë se bëhet fjalë për hapa tendencioze.

"Kjo bëhet për të përfituar pikë politike. Mendojmë se ata që kanë marrë këtë vendim jo rastësisht është tani në fushatë, që të krijojnë destabilizim politik, gjë që nuk është në interes të vendit,"- thotë Rafiz Haliti.

Për analistin, Atanas Kirovski, procedimi i njërit prej rasteve të Hagës tani në momente fushate, mund të jetë i dëmshëm nëse kjo është bërë për përfitime politike.

"Rastet e Hagës mund të keqpërdoren gjatë fushatës edhe në bllokun politik shqiptar edhe në atë maqedonas. Mbase mund të pritej edhe një kohë që të procedohen, edhe pse mendoj se gjykatatat nuk duhet të merren me politikë.

Nëse kanë ndjekur vetëm procedurat është në rregull, por mund të ketë probleme nëse rasti po shqyrtohet me qëllime tendencioze tani gjatë fushatës zgjedhore," - thotë Atanas Kirovski.

Autoritetet në Maqedoni kanë paralajmëruar se në procedurë gjyqësore, pasi të përkthehen dosjet, do të futen edhe tre rastet e tjera që janë hetur nga Haga.

Bëhet fjalë për rastet e hetuar për rrëmbimin e 12 maqedonasve, për kërcënimet për bllokim të ujësjellësit të Likovës, si dhe për udhëheqjen e UÇK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›