E Enjte, 5 Nëntor 2026

Hakmarrja, pista e ekzekutimit të Ismet Çekorjas; merret në pyetje Alban Bruçi, tëcilit iu bë atentat nga djali i viktimës

Një person me motor, me skafandër në kokë, është autori i vrasjes së Ismet Çekorjas. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen “Guerrilë”, aty ku ekzekutua me 7 plumba 57-vjeçari.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se drejtuesi i motorit ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes, pasi ndaloi ka qëlluar ndaj Çekorjas dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Për shkak të skafandrës, është i pamundur identifikimi i autorit të ngjarjes por blutë e Shkodrës kanë bërë edhe sekuestrimin e kamerave të tjera të sigurisë në disa segmente rrugore për të bërë të mundur identifikimin e tij.

Mbetet ende enigmë nëse 57-vjeçari është thirrur, nga një person për të dalë nga banesa edhe pse në momentin e ngjarjes, ai ka qenë disa metra larg shtëpisë së tij pranë një dyqani të vogël.

Ndërkohë nga ana tjetër, Policia ka shoqëruar deri tani 8 persona si dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe persona që mund të kenë dijeni për këtë atentat.

Një nga pistat e hetimit është ajo e hakmarrjes dhe për këtë arsye janë thirrur për të dëshmuar edhe Alban Bruçi, i cili i shpëtoi atentatit mbrëmjen e 25 Gushtit.

Si autori i dyshuar në këtë atentat u shpall në kërkim djali i viktimës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›