Haliloviç, ylli që hyri në histori të futbollit kroat (video)

Talenti i Dinamo Zagrebit, Alen Haliloviç ka hyrë në histori të futbollit kroat si futbollisti më i ri që ka arritur të shënojë gol në kuadër të ligës së parë. 16-vjeçari ishte në mesin e realizatorëve në fitoren e Dinamos në udhëtim ndaj Slaven Belupos, me rezultat 4-1.
Haliloviç shënoi në minutën e 94-t, pas një super asistimi nga kosovari Fatos Beqiraj. “I falënderohem të gjithëve për urimet, jam shumë i gëzuar. Më së tepërmi i falënderohem trajnerit Çaçic, i cili më ka dhënë rastin të luaj për Dinamon si dhe Beqirajt, i cili më bëri një asistim fantastik”, u shpreh Haliloviç për uebfaqen zyrtare të Dinamos.
Haliloviç spekulohet se ka rënë në sy të gjigantëve evropianë duke përfshirë Manchester Unitedin dhe Real Madridin. Me karakteristikat e tij, Haliloviç krahasohet me ish-yllin e Dinamo Zagrebit, Luka Modriç, aktualisht anëtar i Real Madridit.