Hamasi liroi Gilad Shalitin

Lajmin e kanë bërë të ditur drejtues të Hamas.
Mbi 1 mijë të burgosur palestinezë do të lirohen në kuadër të marrëveshjes, nga të cilët 477 kanë filluar të lirohen të martën.
Rreshteri Shalit u rrëmbye në vitin 2006 nga militantët e Hamasit, të cilët hynë përmes një tuneli në Izrael. Ditën e hënë, gjykata Supreme e Izraelit rrëzoi një peticion të familjarëve të viktimave të sulmeve të militantëve për të shtyrë shkëmbimin.
Shalit, 25 vjec, është pranuar në kalimin e Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit, duke iu dorëzuar negociatorëve egjiptianë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve izraelitë.
Më vonë ai u transferua në kalimin Kerem Shalom, mes Egjiptit dhe Izraelit.
Pasi u ka bërë një telefonatë prindërve dhe i është nënshtruar një kontrolli mjekësor, rreshteri do të fluturojë me helikopter në bazën ajrore Tel Nof, në Izrael.
Në të njëjtën kohë, 477 të burgosurit e parë palestinezë kaluan në Egjipt nga kalimi Kerem Shalom, pas një udhëtimi 10-minutash nga Rafahu.
Marrëveshja për lirimin e Shalit u arrit më 11 tetor.
Ajo u komunikua nga vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.