E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamilton e ka gjetur rivalin për 2010, Sebastian Vetel

“Ka për të qenë shumë i fortë, ashtu si makina  që drejton”, deklaroi Hamilton në një intervistë për revistën “Sport Bild”. Më tej, kampioni i botës në vitin 2008 shtoi se 22-vjeçari është përmirësuar nga gara në garë. Në këtë mënyrë, britaniku i Mek Larenit, përjashton Ferrarin nga lufta për titull në sezonin e ardhshëm.

Ai ka folur edhe në lidhje me skuderinë më të re në Formula 1, Mercedes Gp (disa ditë më parë Mercedesi bleu Graun GP). “Prej kohësh Mercedesi donte një skuadër të vetën”, theksoi Hamilton, që në 2008 fitoi titullin falë motorit të kompanisë gjermane.

Mek Lareni mori Xhenson Batonin, kurse Mercedes GP firmosi me Niko Rosberg dhe ka gjasa që të njëjtën gjë ta bëjë edhe me gjermanin tjetër, Nik Heidfeld. A mund të flasim për një luftë gjermano-britanike? “Do të ishte fantastike, edhe pse mendoj se kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Nuk është njëlloj si futbolli, në Formula 1 penalltitë nuk ekzistojnë”, u shpreh Hamilton.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›