E Diel, 1 Nëntor 2026

Hamza: Justina Shiroka-Pula e pranueshme për presidente, propozojmë Eliza Hoxhën si kundërkandidat

PRISHTINË, 6 tetor/ATSH/ Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha në një konferencë për media se emri i Justina Shiroka-Pulës është i pranueshëm për postin e presidentes.

Ai po ashtu tha se po propozon Eliza Hoxhën si kundërkandidate.

Hamza tha se tani do të shkojë bashkë me 22 deputetët e partisë së tij në sallën e Kuvendit.

Kryeministri i Albin Kurti i ka bërë ofertën e tretë Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit dhe kalimin e ndryshimeve për ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës.

Në një konferencë për media, më pak se dy orë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, Kurti tha se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje do t’ia votojë fillimisht ndryshimet në lexim të dytë në ligjin për Specialen, nëse PDK-ja zotohet se merr pjesë në votim për Justina Shiroka Pulën.

Shiroka Pula ka qenë pjesëtare e PDK-së në të kaluarën.

“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votim në zgjedhjen e presidentit, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht”, tha Kurti.

Kurti, megjithatë, la të kuptohej se ai nuk e ka kontaktuar Shiroka Pulën para se ta propozonte, duke thënë “le ta bindë [për të garuar] Bedri Hamza, ne jemi dakord”.

Nga viti 2008 deri më 2011, Shiroka Pula ishte ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 deputete e Kuvendit të Kosovës.

Vitin e kaluar, Shiroka Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›