Kuvendi i Kosovës miraton ndryshimet për Gjykatën Speciale

PRISHTINË, 6 tetor/ATSH/ Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas votimit të amendamenteve, projektligji mori 88 vota për.
Me këtë votim, Kuvendi përmbylli shqyrtimin e projektligjit, i cili ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.
Seanca e Kuvendit të Kosovës nisi mbrëmjen e vonë të së martës me pikë të parë të rendit të ditës votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Komisioni për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e projektligjit në lexim të dytë.
/rel/