Hamza doli para gjykatës së New Yorkut
Kleriku radikal islamik, Abu Hamza al-Masri, është paraqitur para gjykatës në New York, disa orë pas ekstradimit të tij nga Britania për në Shtetet e Bashkuara.
Hamza, i cili përballet me një sërë akuzash për terrorizëm, është ankuar përmes avokatit se autoritetet amerikane i kanë hequr grepat protetikë që mban për duart.
Ai do të paraqitet sërish para gjykatës të martën.
Katër të dyshuarit e tjerë që janë ekstraduar në SHBA së bashku me Hamzan, janë vetë-deklaruar të pafajshëm.
Të pestit kanë fluturuar të shtunën drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Gjykata e Lartë në Britani ka refuzuar apelet e tyre të fundit.
Të gjithë ata përballen me burgim të përjetshëm, nëse shpallen fajtorë për planifikimin e sulmeve terroriste.
Nën kushtet e ekstradimit të tyre, ata duhet të gjykohen në gjykata civile të Shteteve të Bashkuara.