Hamza s’ka frikë nga Jahjaga

Presidentja e Kosovës ende nuk e ka pranuar propozimin e Kuvendit për emërimin e Bedri Hamzës guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Posa të mbërrijë vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Hamzës guvernator, presidentja pritet të shfrytëzojë afatin e paraparë ligjor dhe para përfundimit të mandatit të Gani Gërgurit të emërojë Hamzën për guvernator, raporton Koha Ditore.
“Ende nuk ka ardhur propozimi për emërimin e guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës. Pas ardhjes së propozimit Zyra e presidentes ka afat të caktuar për përgatitjen dhe nënshkrimin e dekretit për emërim. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, pika 27, përcakton qartë kompetencat e presidentes në rastin e emërimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës”, thotë Arbër Vllahiu, këshilltar për marrëdhënie me publikun i presidentes Jahjaga.
Hamza nuk frikësohet se mund të ndodhë ndonjë e papritur. Për t’u bërë guvernator ai thotë se ka plotësuar të gjitha kriteret. Sa i përket çështjes së pavarësisë politike, ai thotë se një gjë të tillë e ka zgjidhur që në fillim të këtij viti./Indeksonline/