E Diel, 1 Nëntor 2026

Han mendon surprizën, në Portugali me dy sulmues

Nga Altin Latifi 

Trajneri i kombëtares shqiptare Ari Han mendon për surprizën në prag të takimit të nesërm ndaj Portugalisë. Tekniku kuqezi ka planifikuar një skuadër me dy sulmues ndaj iberikëve, të cilët do të hidhen në sulm për të kërkuar golin që në fillim. Rekuperimi i Hamdi Salihit, i cili tashmë e ka kaluar plotësisht dëmtimin, i ka dhënë më shumë alternativa holandezit, që është gjendur në qendër të kritikave për mënyrën sesi e menaxhoi skuadrën në Budapest. Sulmuesi shkodran pritet të luajë nga minuta e parë, por partneri i tij mund të jetë Edmond Kapllani dhe jo Bogdani. Ky i fundit nuk ishte në ditën e tij më të mirë me Hungarinë dhe pritet që ta nisë nga stoli. Gjithsesi, çdo gjë do të vendoset vetëm në stërvitjen e sotme, në stadiumin e ndeshjes. "Trajneri kërkon që ta mbajë skuadrën përpara, pasi duke qëndruar në mbrojtje, mund të jetë shumë e vështirë", deklaroi një burim pranë tekniku të përfaqësueses. Shto këtu edhe faktin se Berisha mund të jetë titullar, formacioni i Shqipërisë do të jetë tërësisht sulmues ndaj iberikëve të Keiroz.
Në Portugali
Kombëtarja shqiptare la dje Budapestin për t'u zhvendosur drejt Portugalisë, ku arriti pas katër orësh e gjysmë fluturim me çarter. Një udhëtim i lodhshëm për ekipin, që ishte në Guimaresh rreth orës 14.30 minuta. Ekipi nuk do të qëndrojë në qytetin ku do të luhet ndeshja, në Bragë, pasi stadiumi është vetëm 20 minuta larg Guimareshit. Ari Han i ka nisur që dje përgatitjet për takimin e radhës, teksa skuadra ka zhvilluar një seancë shplodhëse në orën 18. Kombëtarja shqiptare do të jetë sot në mbrëmje në stadiumin e ndeshjes për seancën e fundit.
Dëmtimet
Ajo që vazhdon të shqetësojë ekipin në prag të takimit të nesërm, janë dëmtimet e shumta. Cana dhe Salihi në fakt duket se i kanë kaluar problemet, ndërsa për Hykën dhe Vangjelin do të vendoset vetëm sot. Stafi ka siguruar se të dy do të jenë të gatshëm, megjithatë problemet ekzistojnë. "Në fakt, kanë një përmirësim të dukshëm, pasi ditën e parë çalonin, ndërsa tani jo më", tha shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona, i pranishëm në Portugali. "Themi se mund të bëhen, por nuk ka garanci. Do të vendoset vetëm pas stërvitjes së fundit", shtoi ai. Si Hyka, ashtu edhe Vangjeli, prishin jo pak planet e Han, që i kishte menduar si titullarë. Vangjeli është menduar nga tekniku si lojtari që do të mbulojë Kristiano Ronaldon.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›