E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë kuqezi në Tiranë, zbarkon Milani i madh

Skuadra kuqezi do të prekë tokën shqiptare rreth orës 10.30 me një avion çarter dhe nën masa të rrepta sigurie.Ndeshja ka tërhequr vëmendjen e gjithë shqiptarëve, teksa edhe kërkesa për bileta ka qenë e jashtëzakonshme. 

Sot paradite do të zbarkojë për herë të parë në Shqipëri Milani, një prej klubeve më të mëdha të botës. Skuadra kuqezi do të prekë tokën shqiptare rreth orës 10.30 me një avion çarter dhe nën masa të rrepta sigurie. Ekipi do të shoqërohet nga uniformat blu që në aeroport, ndërsa pak orë përpara fillimit të ndeshjes, do të bllokohet qarkullimi përreth stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Dita do të jetë e tëra kuqezi, por këtë herë jo për shkak se luan kombëtarja. Në orën 15, ekipi i kryesuar nga administratori Adriano Galiani dhe trajneri Karlo Ançeloti, do të takohet edhe me kryeministrin e vendit Sali Berisha. Më pas, në 16.30, një konferencë për shtyp, ku do të jenë veç dyshes Ançeloti-Galiani, edhe kapiteni legjendar Paolo Maldini. Më pas, në 17.30, kuqezinjtë do të jenë në stadium dhe në 19.00 do të luajnë ndeshjen kundër Tiranës. Në mes është një trofe, "Taçi Oil Albania Reads", që asnjë prej skuadrave nuk dëshiron ta lërë t'i ikë nga duart. Jo më kot, Ançeloti do të hedhë në fushë një formacion yjesh. Prania e Ronaldinjos, Shevçenkos, Sedorfit, Maldinit apo Nestës, flet për një spektakël të garantuar. Në krahun tjetër, as Tirana nuk dëshiron t'i ikë nga duart ky trofe, për më tepër që përballë është një prej ekipeve më të mëdha të botës. Ndeshja ka tërhequr vëmendjen e gjithë shqiptarëve, teksa edhe kërkesa për bileta ka qenë e jashtëzakonshme. Drejtues të kompanisë "Taçi Oil", që organizon ndeshjen, kanë bërë të ditur se tifozët që ende nuk kanë vlerë biletë, kanë ende një shans të fundit për ta bërë këtë në sportelet pranë stadiumit. Një pjesë të tyre i ka marrë klubi Tirana, që synon t'i subvencionojë për tifozët e vet. Qëllimi i ndeshjes do të jetë për bamirësi, pasi 100 mijë euro do të shkojnë për ndërtimin e librarive në gjithë qytetin.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›