Hana jep leksione për një ISKSH edhe në Kosovë
Në Kosovë ende nuk ekziston një skemë sigurimesh e drejtuar nga një institucion që ka formën e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, ndaj dhe ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, gjatë një takimi me drejtoren Elvana Hana ka shprehur haptazi simpatinë për këtë model, duke deklaruar se në një të ardhme dëshironte të krijonte një institucion të tillë. Në takimin mes Bukoshit dhe Hanës, kjo e fundit ka dhënë një panoramë të shkurtër që nga krijimi i ISKSH-së, ku drejtorja u shpreh: Me përfshirjen fillimisht vetëm të mjekut të përgjithshëm dhe një rimbursimi të një numri të kufizuar barnash dhe deri në ndërmarrjen e një sërë reformash si në shërbimin shëndetësor parësor dhe në shërbimin shëndetësor spitalor, tashmë të financuara nga kjo skemë sigurimesh. Më tej të dyja palët kanë diskutuar për furnizimin me barna të të gjitha shërbimeve shëndetësore, importit, shpërndarjes, cilësisë dhe mundësisë për rimbursim të tyre në masën më të lartë të mundshme nga skema e sigurimit të kujdesit shëndetësorë sidomos në Shqipëri pasi në Kosove akoma nuk ekziston një skemë e tillë sigurimesh. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Bukoshi, e njohu drejtoren e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor me një panoramë të shkurtër të sistemit shëndetësor në Kosovë që është akoma në hapat e parë të reformimit dhe të krijimit të një fondi të ngjashëm për sigurimet shëndetësore. Njëkohësisht Hana e siguroi Bukoshin për një bashkëpunim konstruktiv të të dyja vendeve dhe një sërë marrëveshjesh të mundshme në të gjitha fushat e dhënies së shërbimit shëndetësor të shtetasve të të dyja vendeve.