E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hap pozitiv në dialogun Kosovë- Serbi, konsensus për zbatimin e marrëveshjes për personat e zhdukur

Takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, si dhe me dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka përfunduar në Bruksel. Takimi, pjesë e procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve, zgjati më shumë se dy orë.

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit, tha se në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka pasur pajtim për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur.

“Jemi marrë vesh që të pranohet versioni i dhjetorit i termave të referencës së komisionit të përbashkët, kur Serbia kishte paraqitur pengesat dhe si duket i ka tërhequr ato, prandaj mendoj se tani mund të ecim tutje ku gjatë muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e këtij komisioni të përbashkët”, tha ai.

Sipas tij, ka premtime nga ana e Serbisë se nuk do të ketë tendenca për pengimin e punës së këtij komisioni përmes makinerive që ata dinë t’i zbatojnë.

Bislimi tha se Lajçak ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe po ashtu ka treguar që BE është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti. Ai tha se në takimin bilateral janë trajtuar edhe tema të ndryshme, p.sh. IBM.

Bashkimi Evropian ditë më parë, kishte konfirmuar pjesëmarrjen e të dyja palëve duke thënë se dhe se aty do të shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan herën e fundit në tetor, ku nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Petkoviq: Ramë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët

Ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka deklaruar për mediat pasi ka dalë nga takimi në Bruksel se në takimin trepalësh është bërë një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur.

Ai theksoi se Beogradi ka insistuar që kjo çështje të trajtohet si një problem humanitar dhe jo politik

“Gjatë ditës patëm një takim bilateral me Lajçakun dhe ekipin e tij, ku nga ana ime ekspertët e Beogradit prezantuan të gjitha çështjet që ishin në rendin e ditës gjatë takimit të sotëm. Më pas pasoi edhe një takim trepalësh me kryenegociatorin e Prishtinës. Ajo që kemi arritur është hapi i fundit i nevojshëm lidhur me çështjen e personave të zhdukur, dhe tani është hequr pengesa e fundit për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur. Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët, i cili do të ofrojë mbështetje për grupin e punës që udhëhiqet, si edhe deri tani, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Kjo është ajo që për ne është e rëndësishme, për të cilën Beogradi ka insistuar gjatë gjithë kohës. Duhet të theksoj se, po të mos ishin përpjekjet tona, nuk do të arrihej kjo marrëveshje, por ne gjithmonë kemi theksuar se për ne çështja e personave të zhdukur nuk është politike, por një çështje thjesht humanitare, që duhet domosdoshmërisht të zgjidhet,” tha Petkoviq.

Kryenegociatori serb, gjithashtu tha se Beogradi ka kërkuar me këmbëngulje formimin e Asociacionit të Komunave Serbe “si një hap kyç për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›