Hapen sot regjistrimet për kandidatët fitues në raundin e dytë të Maturës Shtetërore

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Sot, nis faza e parë e regjistrimeve për kandidatët fitues në raundin e dytë të Maturës Shtetërore.
Gjimnazistët që nuk përfituan në raundin e parë, kanë edhe një mundësi të fundit për të siguruar një vend në programet e studimit që kanë ende kuota të lira.
Në një postim në rrjetet sociale Universiteti i Tiranës sqaron se “nis procesi i regjistrimeve në Raundin e Dytë”.
Universiteti i Tiranës njofton të gjithë kandidatët e shpallur fitues se periudha e regjistrimeve për raundin e dytë zhvillohet nga dita e sotme, 29 shtator deri më 8 tetor 2025.
Sipas UT-së, ky raund përfshin pesë faza 48-orëshe, sipas kalendarit: faza e parë: 29 – 30 shtator, faza e dytë: 01 – 02 tetor, faza e tretë: 03 – 04 tetor, faza e katërt: 05 – 06 tetor dhe faza e pesë: 07 – 08 tetor.
Kandidatët fitues duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse me dokumentacionin e nevojshëm për të përfunduar procesin e regjistrimit.
Raundi i parë i regjistrimeve u zhvillua nga data 29 gusht deri më 11 shtator 2025, i ndarë në 7 faza 48-orëshe. Faza e parë ishte më 29–30 gusht; faza e dytë 31 gusht – 1 shtator; faza e tretë: 2–3 shtator; faza e katërt: 4–5 shtator; faza e pestë: 6–7 shtator; faza e gjashtë: 8–9 shtator dhe faza e shtatë: 10–11 shtator.
Me 164 programe studimi dhe një staf akademik të kualifikuar, Universiteti i Tiranës garanton formimin profesional dhe shkencor të studentëve, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe për të ardhmen e tyre.
/e.i/r.e/a.f/