Zjarret masive në vend, presidenti Begaj: Mirënjohje vendeve mike për ndihmën. Mbështetja për efektivët e angazhuar, jetike

Mbi 10 mijë hektarë tokë raportohet të jetë djegur javën e fundit në Shqipëri, sipas të dhënave të autoriteteve europiane, ndërsa me qindra forca zjarrfikëse vijojnë luftën me flakët në terren.
Presidenti Bajram Begaj njoftoi të martën se po e ndjek me shqetësim situatën kritike me zjarret. Ai kërkoi ndërgjegjësim maksimal nga secili qytetar, si dhe kujdes e angazhim.
“Ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Gramsh, Njësisë Administrative Skënderbegas, ku situata është edhe më kritike, të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë, të cilët po punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën, pronën, pasurinë. Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike.
Në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderoj të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shpreh mirënjohje të thellë për ndihmën që po marrim nga vendet mike, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara,” shkroi presidenti Begaj në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/