Hapet Arkivi me "Perënditë me kokë poshtë"
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaq sot, ora 12.00, Perënditë me kokë poshtë, (Gods must be crazy) USA, 1980, 100', komedi me skenar dhe regji të Jamie Uys. Me këtë vepër, nis e mërkura e projeksioneve të filmave të huaj dhe shqiptarë që ruan AQSHF në fondet e tij.
Në një nga shkretëtirat e Kalaharit jeton një fis bushmenësh i cili nuk njeh gjë tjetër në botë vetëm vendin rreth e rrotull tij dhe bëjnë një jetë krejt primitive me rregullat e veta të brendshme, jetë e cila u sjell bushmenëve gëzim dhe mirëkuptim.
Por në momentin kur Kin, njëri nga bushmenët, gjen një shishe coca-cola, qetësia e fisit fillon të prishet. Njerëzit zihen kush ta marrë më parë për ta vënë në përdorim për punë të ndryshme. I pari i vendit vendos që Kin të shkojë e ta hedhë shishen në fund të botës që të mos ketë grindje në fis. Kështu, Kin nis rrugën e vështirë të kërkimit të fundit të botës.
Në rrugë e sipër ai takon njerëzit e civilizuar të cilët e akuzojnë atë për vjedhje dhe e fusin në burg. Bushmenit Kin i vjen në ndihmë profesori natyralist Endrju Stein, i cili e liron nga burgu dhe e merr si ndihmës të tij. Pas peripecive të botës së civilizuar Kin kthehet përsëri në vendin e tij ku mbretëron qetësia, mirëkuptimi dhe lumturia.
Në role: Marius Ëeyers, Sandra Prinsloo, Nixau, Louë Verëey, Michael Thys, Nic De Jager, etj. Muzika: John Boshoff, kamera: Robert Leëis, Buster Reynolds, montazhi Jamie Uys, piktor Caroline Burls.
Projeksioni në 35 mm. Kohëzgjatja 100'. Hyrja e lirë.