Drama e Çapalikut në Festivalin e Kajros
Teatri "Migjeni" i Shkodrës ftohet të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro të Egjiptit me dramën "Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!" shkruar dhe vënë në skenë nga Stefan Çapaliku. Lajmin e bëri të ditur vetë autori i cili e klasifikon këtë vepër tijën kinsedramë.
"Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!" që u shfaq në Shkodër, Durrës dhe Korçë në pranverë të këtij viti, është historia e një ish spiuni të Sigurimit të Shtetit, Përparimit, alias Bernard Maria Leopoldo De Himenez, i cili është arratisur nga Shqipëria pas viteve '90 nga frika e hakmarrjes.
Pas 20 vjetëve ai ka vendosur të rihyjë në kontakt me vendin e vet dhe gjen një shoqëri të katandisur moralisht dhe të pazonjën që të vendosë në vend drejtësinë e dhunuar.
Çapaliku ka bashkëpunuar me skenografin Erjon Talani dhe me aktorët Guliem Radoja, Rita Gjeka, Enver Hyseni dhe Jozef Shiroka. Për dramaturgun që me këtë vepër provon përsëri me regjisurën në teatër, është pjesëmarrja e dytë. Në qershor u prezantua me "Allegretto Albania" në Bienalen e Teatrit në Visbaden.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Eksperimental në Kajro, edicioni i tij i 23, zhvillohet më 10-20 tetor 2010 në mjediset e Operës së Kajros.
Në këtë festival Mirush Kabashi ka marrë pjesë disa vjet përpara me monodramën "Apologjia e vërtetë e Sokratit" dhe është vlerësuar me çmim për interpretimin.