E Enjte, 5 Nëntor 2026

Hapet Materniteti i ri i Beratit, Rama-Manastirliu: Premtim i mbajtur

Materniteti i ri i Beratit, ka hapur dyert për të pritur nënat dhe fëmijët e qarkut të Beratit dhe zonave përreth.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër investimin e ri.

Duke e quajtur një rekord të absurdit të politikës ‘nongrata’, që sipas tij, la këtë qark pa maternitet me vendimin qorr për tjetërsimin e maternitetit të vjetër në objekt privat, Kryeministri Rama tha: “Ishte një fiksim i vjetër, kërkoi kohën e vet”.

Duke e konsideruar një investim të rëndësishëm, megjithë vështirësitë e pandemisë, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Sot është një ditë e bukur për Beratin, një premtim i mbajtur për maternitetin e ri, tashmë është bërë edhe funksional. Investimet në fakt, edhe ky investim, ndër gjithë të tjerat, është bërë në një kohë të vështirë të pandemisë. Investimet nuk kanë ndalur. Është materniteti i katërt në krye të katër viteve që është ndërtuar në kuadër të programit të nënës dhe fëmijës”.

Gjatë inspektimit të Maternitetit të ri të Beratit, Kryeministri Edi Rama foli edhe për rritjen e pagave të stafit mjekësor dhe infermieror.

“Tani kemi edhe hapin tjetër që është rritja e mëtejshme e pagave në Qershor, siç jemi zotuar, me gjithë vështirësitë që na janë krijuar nga kjo situatë, por do e realizojmë edhe rritjen e pagave për mjekët, infermierët, mësuesit e ushtarakët”, tha Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu e vuri theksin tek burimet njerëzore, kur tha se mjekët e rinj specialistë që përfundojnë këtë, do të plotësojnë nevojat në spitalet rajonale.

“Këtë vit përfundojnë specializimet 184 mjekë specialistë. 116 mjekë specialistë kanë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të shpërndahen në gjithë spitalet rajonale. Ndërsa ata që përfundojnë ciklin e detyrimit të kontratës, një pjesë e tyre kanë vendosur që të qëndrojnë në spitalet rajonale ndërkohë të tjerë, ne jemi duke u angazhuar që të gjithë të punësohen në sistemin publik, për të mos pasur asnjë mjek jashtë sistemit, për të maksimizuar kapacitetet tona”, tha Manastirliu.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›