Hapet Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, Aliu: Ditë e veçantë dhe historike

PRISHTINË, 19 qershor /ATSH/ Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar në Kosovë është hapur sot në Rashincë të Shtimes, përmes një ceremonie solemne. Hapja e kësaj qendre shkencore, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi 300 mijë euro, po konsiderohet të jetë ndër ngjarjet më të veçanta dhe historike për Kosovën.
Vrojtimi i diellit me teleskop, punëtori praktike me teleskop të udhëhequr nga astronautë me famë botërore, shfaqje shkencore në planetarium, vrojtimi i qiellit gjatë natës para teleskopit të Observatorit dhe Planetariumit, janë vetëm disa nga aktivitetet që qytetarët e Kosovës do të mund t’i bëjnë me inaugurimin e kësaj qendre.
Kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se përurimi i këtij projekti shënon ditën më të veçantë dhe historike për këtë komunë dhe shtetin tonë. Ai u shpreh se hapja e Observatorit dhe Planetariumit sot të ndikojë thellë në të ardhmen e fëmijëve.
Aliu tha se me kushtet që ofroj kjo qendër, të rinjtë do të kenë mundësi të përjetojnë mrekullitë e universit, duke zgjuar kureshtjen e tyre.
“Sot është ditë e veçantë dhe historike jo vetëm për komunën tonë por edhe për gjithë shtetin e Kosovës dhe më gjerë…Ky projekt unik nga sot e tutje do ta vendosë komunën tonë në hartë të vendeve ku u kushtohet vëmendje hulumtimit shkencor dhe astronomik, që do të ketë ndikim të thellë në të ardhmen e fëmijëve tanë… Me këtë Observator dhe Planetarium ne po hapim dyer të reja për zhvillimin e shkencës në vendin tonë. Fëmijët dhe të rinjtë tanë do të kenë mundësinë të mësojnë e përjetojnë nga afër mrekullitë e universit duke ua nxitur dashurinë dhe kuriozitetin për shkencën. Po ashtu, do të kemi mundësi të mirëpresim astronom dhe studiues nga e gjitha bota duke e bërë komunën tonë si një qendër të rëndësishme të hulumtimeve shkencore”, tha Aliu.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci derisa u shpreh e lumtur për inaugurimin e Observatorit dhe Planetariumit, tha se kjo qendër jo vetëm se po u ofron kushtet e nevojshme për hulumtimin nga shkencëtarët tonë, por sipas saj është një stimulim i jashtëzakonshëm për të rinjtë.
“Jam e lumtur të jem në inaugurimin e Observatoriumit dhe Planetariumit e cila është edhe madhështia dhe bukuria e universit, që zgjon interesin kolektiv në masë të gjerë. Kjo jo vetëm se po u ofron kushtet e nevojshme për hulumtimin nga shkencëtarët tonë, por njëkohësisht është një stimulim i jashtëzakonshëm për të rinjtë e të rejat që janë të magjepsur nga hapësira dhe kozmosi dhe duan të dinë më shumë për to. Çdo mundësi e re për të zgjeruar horizontet tona, na bënë të reflektojmë më thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të shkencës në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, zbulimin e të kuptuarit të dukurive hapësinore na shërben të gjithëve të këtij planeti blu sepse na bënë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit në kohë sfidash mjedisore”, u shpreh Nagavci.
Ndërkaq, drejtori i Celestron dhe donator kryesor i observatorit, Corey Lee përmes një videoje potencoi se Observatoriumi dhe Planetariumi nuk është thjeshtë një ndërtesë, por është rezultat i një udhëtimi të jashtëzakonshëm të mbushur me pasion dhe këmbëngulje.
Lee u shpreh se janë të ngazëllyer të shohin se si ky teleskop frymëzon kuriozitet dhe zbulim për brezat e ardhshëm.
Ndërtimi i kësaj qendre ka filluar para rreth dy vjetësh, kur edhe u nënshkrua marrëveshje mirëkuptimi mes ministres së Arsimit Nagavci dhe kryetarit Aliu, për realizimin e projektit ‘Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumi i parë në Kosovë’ si bashkëfinancim mes MASHTI-t dhe Komunës së Shtimes”. Observatori dhe Planetariumi do të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtë-mësimore të nxënësve dhe të rinjve nga gjithë territori i Republikës së Kosovës.
/KosovaPress/