Hapet pas 32 vitesh porta e tunelit të Porto-Palermos, do jetë atraksion turistik

Për herë të parë pas 32 vitesh, porta e tunelit të fortifikuar të Porto-Palermos është hapur për ta përshtatur atë në një atraksion turistik.
Projekti i konceptuar nga Ministria e Mbrojtjes synon rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Zona që nuk do të përdoret për veprimtari ushtarake ka filluar të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte të larta sigurie lundrimore.
Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike asetet e çmuara të Forcës Detare shqiptare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Hapja e tunelit u krye nën drejtimin e stafit inxhinierik të Batalionit të Xhenios pa hasur ndonjë problem, pavarësisht tri dekadave mosaktivizim.
Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto-Palermos.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988.
/rtsh.al/