Hapja e Ibrit, Vuçiç i shkruan NATO-s: Do t’i lutem Rutte-s të mos e lejojë

Ura e Ibrit në Mitrovicë duket se po rikthen përplasjet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa situata në veri mbetet e tensionuar.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi se do t’i dërgojë një letër zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Vuçiç kërkoi që ura të mos hapet për automjetet dhe drejtoi akuza të ashpra ndaj komandantit turk të KFOR-it, gjeneralin Özkan Ulutaş.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t’i shkruaj Mark Rutes dhe shpresoj që t’i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet. Për mua, ky është një turp i madh dhe një zhgënjim. Kjo na tregon se nervozizmi ka hyrë në radhët e tyre, nuk dinë se si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë Kosovën e pavarur. Ne do të shohim se si t’i ndihmojmë popullit tonë. Ngadalë, gjërat po ndryshojnë në botë, por jo aq shpejt sa kemi pritur- u shpreh presidenti serb ndër të tjera.
Komentet e Vuçiç vijnë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi se kushtet për qarkullimin e makinave tashmë janë plotësuar.
Kjo urë, e cila ndan qytetin e Mitrovicës, prej vitesh ka shërbyer vetëm për kalimin e këmbësorëve.
Çështja e qarkullimit të automjeteve mbetet prej kohësh një nga burimet kryesore të tensioneve në zonë, ndërsa qeveria Kurti i ka kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë në veri të vendit
/rtsh.al/