E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj: Tani nuk vlenë politikbërja agresive

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, nuk e ka ndërmend të lëshojë pe për postin e kryeministrit.

Edhe pak ditë i ka dhënë afat PDK-së për çështjen e koalicionit.

“Për një qeveri të re në Kosovë ne kemi ofruar edhe një afat kohor, është afër t’i jepet epilog kësaj teme. Besoj që në ditët që vijnë do t’i japim epilog kësaj teme, ose do të ketë Kosova një qeveri të re, ose do të përmbyllet kjo etapë e një mundësie të vështirë edhe do të kalojmë në dinamikat e zakonshme të politikbërjes deri në zgjedhjet e ardhshme kurdo që janë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Haradinaj thotë se politikbërja agresive , sipas tij, tani nuk ka vend.

“ Në një gjendje të një situate të tillë nuk vlenë ajo politikbërja agresive. Është si ajo shprehja, që thonë se mbreti i ka dërguar argatët të pyes si është populli, ata i thonë po ankohet, iu thotë rëndoni edhe më shumë, kështu disa herë rresht, një ditë i thonë populli s’po bënë zë, thotë është prishur puna. Këtu gjendja s’ka mbetur më të bëhet zë, bërtimat e acarimet nuk mendojmë se janë ilaçi për këtë gjendje të krijuar, por është një mençuri e madhe, një zotësi e madhe të udhëheqim e vendin”, thotë Haradinaj ne nje interviste per "Zeri".

Haradinaj i pyetur lidhur me emrin e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, është përgjigjur “Nuk ka koment”.

Ndonëse nuk ka strategji konkrete se si ta luftojë korrupsionin, Haradinaj thotë se ky fenomen “luftohet me faktin se vetë nuk do të korruptohet, nëse ai do ta marrë postin e kryeministrit”, gjë që, sipas tij, do të reflektojë te ministrat, zëvendësministrat e këshilltarët e tyre.

Pretendenti për kryeministër të vendit thotë se privatizimi i deritashëm ka pasur mangësi, ndërsa shprehet i shqetësuar me privatizimin e distribucionit të KEK-ut./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›