E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj e quan pa rëndësi takimin me Thaçin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të parëndësishëm takimin që ka pasur para disa ditësh me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë një konference për shtyp, Haradinaj, tha se shtrëngimi i duarve me liderin e PDK-së, në një ambient feste, nuk nënkupton afrim të koncepteve mes dy partive politike.

“Ishte një përshëndetje e natyrës së këtyre pritjeve dhe nuk kishim mundësi me bë ndonjë bisedë tematike. Kuptohet unë kam shpreh gatishmërinë në rast që lind nevoja për tema nacionale, me u ul me kryeministrin, presidentin dhe zyrtarë të tjerë të vendit. Ky nuk ishte një takim i tillë, pra ishte kryesisht një përshëndetje kurtuazi”, ka thënë Haradinaj, sot në një konferencë me gazetarë.

Thaçi dhe Haradinaj, ishin takuar në fillim të javës, gjatë një pritjeje private të organizuar me rastin e ditëlindjes së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell. Ata kanë qëndruar disa minuta bashkë, kanë pasur një bashkëbisedim të shkurtër, madje kanë bërë bërë edhe fotografi së bashku.

Ky është takimi i parë mes dy ish-figurave kryesore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë prishur marrëdhëniet pasi Haradinaj kishte hyrë, më 2005, në koalicion me LDK-në, duke e lënë në opozitë PDK-në.

Lideri i AAK-së shquhet si njëri ndër kritikuesit më të ashpër të qeverisë dhe kryeministrit Thaçi, ndërkohë që ky i fundit nuk ka treguar shenja bashkëpunimi me Haradinajn dhe partinë e tij.

Haradinaj i ka vazhduar edhe sot kritikat në adresë të Thaçit, duke thënë se është kryeministri ai i cili është meritor i humbjeve, dëmeve dhe të metave që ka qeverisja aktuale.

Gjatë konferencës të mbajtur sot, lideri i AAK-së, tha se meritor për korrupsionin në Kosovë, është shefi i qeverisë.

Sipas tij, nuk ka mundësi që korrupsioni të jetë aq prezent në Qeveri, dhe kryeministri Thaci të mos jetë në dijeni. Haradinaj i kujtoi Thaçit se nuk mund të deklarohet se është kundër korrupsionit, e në anën tjetër ta ndaj rrogën e tij për fonde që kanë për qëllim mbrojtjen e atyre që akuzohen për korrupsion.

Kryetari i AAK-së përsëriti domosdoshmërinë e mbajtjes së një tryeze kombëtare si mundësi, siç tha ai, për ta nxjerrë Kosovën nga kriza që e ka kapluar.

Ai e ka përjashtuar mundësinë e arritjes së ndonjë koalicioni në të ardhmen me PDK-në, për shkak të dallimeve të koncepteve të këtyre dy subjekteve, dhe se përzierja e këtyre koncepteve, sipas tij, humb mundësinë që vendi të ketë një tjetër model qeverisës.

“Mendoj që në të mirën e Kosovës është që mos me i përzier këto koncepte në qeverisje, sepse ia humbim mundësinë Kosovës me pa model tjetër qeverisës. Pra, drejtimi politik i Aleancës nuk synon afrimin me zotërinë Thaçi dhe PDK-në, për një koalicion të mundshëm në të ardhmen dhe nuk parasheh këtë. Por një dallim konceptual mundet mos me qenë pengesë në kontakte dhe në komunikim, sidomos për faktin kur propozojmë një tryezë nacionale, atëherë kuptohet në atë tryezë me u ul, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, udhëheqës të partive politike, shoqëria civile, dhe aktorë ndërkombëtarë. Pra, për me tejkalua një gjendje në vend, dallimet personale tejkalohen, ato konceptuale janë konceptuale dhe vazhdojnë”, ka thënë Haradinaj, transmeton KosovaPress.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›