E Diel, 1 Nëntor 2026

Iliriana Gafurri, kryetare e Grave të LDD-së

Konventa zgjedhore e Forumit të Gruas së LDD-së zgjodhi sot kryetare Iliriana Gafurrin.

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, duke folur në konventë vlerësoi lartë kontributin e gruas dardane në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova.

Ai e ka kritikuar sërish koalicionin aktual qeverisës, duke e cilësuar atë si qeverinë më të keqe që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“LDD, shoqëria civile dhe ajo akademike, gjithë shoqëria e Kosovës e dinë se ky koalicion qeverisës asnjëherë nuk i ka vizituar kufijtë e Kosovës. Ne në LDD e themi se ata nuk i dinë se ku i ka Kosova kufijtë, sepse përditë ata shkelen, përdhosen dhe maltretohen, jo vetëm në veri, por edhe në Dukagjin dhe te Kamenica, Karaqeva. Kjo qeverisje as edhe ne një pikë të shtetësisë nuk e respekton kushtetutën e vet”.

Kryetari i LDD-së vlerësoi se Kosovën e ka kapluar një krizë e rrezikshme, pasi që populli nuk i beson qeverisë së saj. “Nëse e krahasojmë për 10 vjet, besimi i qytetarëve në vendin është në pikën më të ulët të mundshme për shtetin dhe udhëheqësinë e vetë. Për fat të keq, kjo lloj qeverisje ka përkrahjen e faktori ndërkombëtar. Një qeverisje e zënë në krim të organizuar, politik dhe ekonomik, në korrupsion të lartë, nuk është në gjendje ta udhëheqë shtetin, me koncept, me vizion dhe dinjitet shtetëror”.

Daci tha se “shumë shpejt, LDD-ja do të paraqesë platformën për qeverisje për shtetin e qytetarëve, për shtetin kushtetues, normal demokratik dhe për qytetarin e lumtur në shtetin e vet”.

Përkundër përpjekjeve të koalicionit qeverisës për ta dobësuar LDD, në këtë subjekt beson i gjithë spektri kombëtar, tha Nexhat Daci ne konventën zgjedhore te forumit të gruas të LDD-së, transmeton shërbimi për informim i LDD-së.

Ndërsa nënkryetarja e parë e këtij subjekti dhe kryetarja e deritanishme e Forumit të Gruas të LDD-së, Besa Gaxherri, theksoi se LDD-ja bashkë me forumin e Gruas dhe atë të Rinisë, tashmë është e konsoliduar dhe e përgatitur si një alternativë tepër serioze për qytetarët e Kosovës .

“LDD garanton një të ardhme krejt ndryshe nga e sotmja, Kosova ka nevojë me shumë se kurrë për kontributin e gruas dardane. Pas dy vjet të pavarësisë, Kosova është ngërthyer në një krizë të thellë politike dhe ekonomike pasoj e kësaj keqqeverisje, ku është instaluar krimi i organizuar dhe korrupsioni”.

Gaxheri tha se Forumi i gruas te LDD është model për integrimin e gruas në sferën politike. Pas kësaj konvente në përbërje të kryesisë së LDD-së janë mbi 27% gra, nënkryetarja e parë grua dhe mbi 30% përfaqësim të gruas në Kuvendin e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›