E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Haradinaj i drejtohet Kurtit: Albin shko në prokurori, ti nuk je mbi ligjin

PRISHTINË, 13 janar/ATSH/- Koalicioni për Kosovën Fituese ka hapur dje zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj ka sulmuar kryeministrin Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.

“Kur vjen koha e mirë, krijohen, dalin edhe njerëz të ligë, Albin Kurti është njeri i lig, klika e tij janë njerëz të ligë. E kur vinë njerëzit e ligë si Albin Kurti, e bien kohën e keqe prapë. Për këtë arsye sot, nevojiten edhe një herë njerëzit e zotë, dhe ja ku i keni. Për me fitu Kosova, duhet me heq mashtruesin, se duam siguri, siguri të plotë, e siguri të përjetshme. Shko Albin, shko Nagip, shko Dejonë, shko Martin, se s’duam me na vjedh”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj e quajti sërish kryeministrin Kurti shefin e hajdutëve dhe i bëri thirrje të paraqitet në Prokurorinë Speciale, ku është ftuar si dëshmitar.

“Shko, Albin te prokurori, shko, se nuk po dëshirojmë të vidhen rezervat shtetërore, shko sepse nuk dëshirojmë të vidhet buka e ushtarit, s’po dëshirojmë të vidhet energjia, shko te prokurori, merri edhe hajnat e tjerë, shko te prokurori, sepse je shefi i hajnave. Nuk është askush mbi ligjin dhe as ti”, tha Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët, Forumi intelektual E-30 dhe Lista Ideal janë bërë bashkë për zgjedhjet parlamentare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›