E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harmonia fetare në themel të Rilindjes së kombit shqiptar

(vijon nga numri i djeshëm)

FILLIMET E BASHKËJETESËS SHQIPTARE
Fillimet e harmonisë fetare, ose më saktë e bashkëjetesës shqiptare, duhen kërkuar shumë shekuj më parë, ndërsa faktorët që kanë përcaktuar këtë dukuri specifike shqiptare, janë të shumëllojshëm. Shqiptarët, edhe pse e kanë pranuar menjëherë fenë e shtetit të radhës që i ka pushtuar, i kanë vendosur të gjitha fetë në një vend pak të rëndësishëm të jetës së tyre sociale. Islamizimi i shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe kur ata përqafuan krishtërimin, ruajti karakterin e një akti më tepër pragmatik se shpirtëror. Përqafimi i fesë së krishterë ose kalimi i shqiptarëve në islam, u përcaktua nga përfitimet politike dhe jo nga ato sociale. Edhe kur shqiptarët përqafuan disa nga normat e fesë islame që rregullonin marrëdhëniet sociale, ata vazhduan të ruanin me xhelozi normat e brendshme të organizimit fisnor, të cilat i kishin përcjellë të pa prekura përmes dominimit shumë shekullor kristian, katolik ose ortodoks të ketë qenë.
Për ta ilustruar mund të themi se, me gjithë rregullat e fesë islame që nuk merrnin parasysh fisnikërinë e gjakut dhe dallimet e racave, shqiptarët vazhduan ti respektonin ato. Në Perandorinë Osmane, një individ i shtresës së ulët mund të arrinte deri në postin e pashait, kurse shqiptarët mysliman, ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë, ende respektonin traditën e njohjes së të parit të fisit që kalonte nga babai te i biri. Norma islame që një burrë mund të martohej me më shumë se një grua, nuk e prishi normën shqiptare të martesës dhe të jetesës vetëm me një grua. Institucioni i martesës që në fenë islame parashikonte prishjen e kufijve midis shtresave sociale, nuk e prishi traditën shqiptare të martesës brenda të njëjtës racë dhe shtrese sociale. Këta shembuj që mund të jenë edhe më të shumtë në numër, tregojnë se islami si doktrinë fetare, ashtu si edhe feja e krishterë më parë, nuk ishin lejuar nga shqiptarët që të rregullonin jetën e tyre sociale. Feja islame u shërbente shqiptarëve mysliman vetëm për përfitime politike, ndërkohë që ata vazhdonin të bënin pothuajse të njëjtën jetë sociale si të parët e tyre ose si shqiptarët e krishterë bashkëkohës.
Jeta e njëjtë sociale e shqiptarëve, pavarësisht nga feja që praktikonin, e trashëguar që nga periudha parakristiane, duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që qëndron në bazë të harmonisë fetare ose bashkëjetesës shqiptare.
Perandoria islame i ofroi shqiptarit luftarak mundësi të mëdha. Duke përdorur fenë për të dalluar sunduesin nga i sunduari, i vendoste shqiptarët myslimanë në radhën e sunduesve, derisa ata e kishin bërë zgjedhjen e tyre. Shumica e renegatëve që arritën në pozita të larta qenë shqiptarë, ndërkohë që në trupat jeniçerë, më të fortët e më të aftët vinin nga Shqipëria. Shumë nga pazhët në pallatin e Sulltanit, të stërvitur jo vetëm në artet e oborrtarit, por edhe në atë të administratorit dhe të komandantit, ishin shqiptarë. Së paku tridhjetë kryevezirë kishin origjinë shqiptare. Shqiptari mysliman gjeti në perandori një fushë të gjerë ku mund të zhvillonte personalitetin dhe të impononte autoritetin e tij. Megjithatë, në përgjithësi, ai nuk harronte se ishte shqiptar. Ismail Qemali, në kujtimet e tij të botuara në vitin 1920, f. 262, ka shkruar: “...gjatë sundimit turk i shërbyem Perandorisë me besnikëri, duke ruajtur në të njëjtën kohë të pastër dhe të paprekur patriotizmin tonë shqiptar”. Ismail Qemali bashkë me shqiptarë të tjerë që ishin të integruar plotësisht në jetën dhe administratën otomane, u përfshinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare sepse qenia shqiptare e tyre mbizotëroi plotësisht mbi qenien otomane. Veçse, turqit që e njihnin këtë veçori të shqiptarëve, ishin gjithmonë të kujdesshëm me ta. Edhe pse ua besonin qeverisjen e trojeve shqiptare pashallarëve vendas, nuk ka pasur kurrë një pasha të vetëm që të sundonte në gjithë Shqipërinë në emër të Sulltanit. Porta luante me ta duke nxitur njërin kundër tjetrit. Gjatë katër shekujve të pushtimit, Qeveria otomane nuk ka krijuar asnjëherë vilajete shqiptare homogjene vetëm me shqiptarë, dhe as bëhej fjalë që t’i jepte një demarkacion të përcaktuar shprehjes gjeografike të paqartë “Shqipëria”.
Me gjithë metodat e rafinuara që përdornin pushtuesit osman, shqiptarët, pavarësisht nga besimi fetar, jo vetëm nuk e ndryshuan karakterin e tyre etnik, por forconin edhe më tepër ndjenjat e tyre kombëtare dhe zakonisht identifikoheshin si shqiptarë dhe jo si muhamedanë ose të krishterë, si banorët e tjerë të Turqisë Evropiane. Manzur për këtë tipar shkruante: “Në të gjithë dialektet gjuha e tyre quhet shqip, vendi i tyre Shqipëri dhe nacionaliteti shqiptar”.
Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimi që praktikonin, me krenari dhe respekt kujtonin luftërat legjendare ndaj pushtuesit osman të heroit kombëtar, Skënderbeut. Myslimanët shqiptarë duket sikur e kishin harruar që Skënderbeu kishte luftuar kundër omanëve si një i krishterë. Ajo që kishte rëndësi për ta ishte fakti që ai ishte gjaku i tyre, një shqiptar, dhe kishte luftuar për çlirimin e vendit. Dhe e pranuan njëzëri si hero kombëtar. Në këtë mënyrë Skënderbeu së bashku me gjuhën shqipe dhe doket e zakonet e lashta të tyre, ngelën si elementë të përbashkët, pika e bashkimit për të gjithë shqiptarët. Udhëtarë të shumtë perëndimorë (G.C.Brougton, I.C. Hobhause, Th.S. Hughes etj.) që vizituan Shqipërinë në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek.XIX, kanë pohuar se “...përgjërimi për atdheun e tyre ka qenë dhe është në themel të tolerancës fetare në Shqipëri”.
Edhe kur u detyruan të braktisnin fenë e krishterë, shqiptarët përpiqeshin të gjenin shtigje të tjera, që në një farë mënyre të ishin të lidhur me historinë, me traditat, me fenë e tyre të vjetër dhe me bashkatdhetarët që ende e praktikonin atë. Në veri dhe në qendër të Shqipërisë u shfaq një fenomen që u quajt Kripto-kristianizmi. Kripto-kristianët (laramanët), që zakonisht banonin në vise pranë myslimanëve, shpallnin islamizmin për fe të tyre, por e qetësonin ndërgjegjen duke ushtruar krishtërimin fshehurazi. Bektashizmi, ky urdhër panteist mysliman me origjinë nga viset kufitare me Anadollin, ku bashkekzistonin krishtërimi, islamizmi dhe paganizmi, u përhap në gjithë Ballkanin dhe veçanërisht në Shqipërinë e Jugut ku, 9/10 e myslimanëve ishin bektashinj (N. Bozbora, po aty, f. 61). Liria më e madhe dhe lidhjet me krishtërimin, veçori të bektashizmit, u pëlqeu shqiptarëve, ndër të cilët nuk mbeti një urdhër po u bë sekt.
Asnjë nga fetë që praktikonin shqiptarët nuk mundi të errësoi ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Shqiptarët, krenar për prejardhjen e tyre, ruajtën me njëri tjetrin, për shekuj me radhë, aq sa kishin mundësi, lidhjet shpirtërore, ekonomike, shoqërore, madje edhe ato familjare. Vetëm kështu shpjegohet fakti që Shqipëria nuk njohu asnjëherë grindje dhe luftëra fetare edhe pse ato nxiteshin me zell nga fqinjët shovinist.
KUJDES, KOMBI SHQIPTAR NË REZIK !
Pas krijimit të shteteve grek dhe serb, qeveritë e tyre kishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste që u shndërruan në vijën themelore të politikës së tyre. “Megali idea” dhe “Naçertanie”, që jo rastësisht u shpallën njëkohësisht, në vitin 1844, shprehnin hapur aspirata ekspansioniste të hartuesve të tyre. Sipas këtyre projekteve, pas vdekjes së “të sëmurit të Bosforit”, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
“Megali idea” greke gjeti mbështetje të fuqishme edhe te Patrikana e Stambollit që, pas krijimit të shtetit grek, e humbi karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke. Në këtë mënyrë kisha ortodokse dhe shkollat e shumta në gjuhën greke që u ngritën në trevat shqiptare, u kthyen në vatra për të helenizuar besimtarët dhe nxënësit që i frekuentonin ato. Për të kuptuar transformimin e Patrikanës, nga një Patrikanë Ekumenike për të gjithë të krishterët nën tokë dhe mbi tokë, në një kishë “të vogël greke”, mjafton të përmendim aprovimin e menjëhershëm nga Patrikana në vitin 1816 për shqipërimin e Dhiatës së Re nga dr.Vangjel Meksi dhe më pas, ideimin dhe vendimin për helmimin e Naum Veqilharxhit, autori i abetareve të para shqipe, në vitin 1846, pas krijimit të shtetit grek.
Nga ana tjetër sundimtarët osman shtuan përpjekjet për t’i fanatizuar fetarisht dhe për t’i turqizuar kombëtarisht shqiptarët myslimanë. Shkollat shtetërore turke, që po ngriheshin me qindra në mes të shek. XIX, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike. Me gjithë barazinë e shpallur nga reformat e Tanzimatit, ndryshimi në mes shqiptarëve me besime të ndryshme fetare ishte thelluar edhe më tej, me zbatimin e diferencuar të detyrimit të shërbimit ushtarak dhe veçanërisht pas konfirmimit të sistemit arsimor paralel që po krijonte shtresa gjithnjë e më të gjëra të shoqërisë shqiptare që arsimoheshin në kultura të ndryshme.
Pra, në sintoni të plotë, Patrikana me Portën e Lartë shpërthyen një fushatë helenizuese dhe turqizuese nëpërmjet shkollave greke dhe turke, që si kërpudha helmuese u ngritën për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve, ndërkohë që gjuha shqipe nuk mësohej në shkolla, shqiptarët mbaheshin të ndarë dhe për më tepër, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që u quajt Rilindje, po vononte të lindte.
NAUM VEQILHARXHI: KOMBI MBI FETË NË THEMELET E BASHKËJETËS SHQIPTARE
Në një situatë të tillë, kur Shqipëria dhe shqiptarët po mësyheshin si asnjëherë tjetër në historinë e tyre, njëherësh, nga grekët, turqit dhe serbët, nga Patrikana dhe kisha greke, si edhe nga veglat panheleniste dhe panislamiste në Shqipëri, ishte Naum Veqilharxhi i pari dhe i vetmi që kuptoi se shqiptarët, të ndarë dhe të paditur, rrezikonin të zhdukeshin si komb. Ndër fqinjët ballkanikë të Shqipërisë, feja dhe kombësia përputheshin. Përderisa kjo nuk ndodhte me shqiptarët, Naumi u përpoq të zhvillonte ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jo fetare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të kryej bashkimi kombëtar. Për rrjedhojë theksin e vuri te ekzistenca e kombit shqiptar, te raportet e kombit me fetë dhe te gjuha shqipe e cila mund të shërbente si një hallkë ndërlidhëse ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore dhe fetare.
Naumi kishte arritur në përfundimin se populli shqiptar që të dalë në dritën e lirisë, duhet, së pari, të çlirojë gjuhën e tij, ta lëvrojë atë dhe të mblidhet rreth saj, ashtu si rreth flamurit kombëtar. Naumi, vetëm 27 vjeç, nisi menjëherë punën për përpilimin e alfabetit të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik, duke vazhduar me pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, me gramatikën, me afrimin e dy dialekteve të gjuhës shqipe dhe së fundmi me hartimin e abetareve dhe materialeve të tjera didaktike.
Si iluminist, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhën e vendeve të qytetëruara. Për N.Veqilharxhin, çlirimi kulturor ishte një faktor pa të cilin nuk mund të arrihej çlirimi politik. Në këto kushte ai ishte i pari që ndjeu nevojën e ngutshme të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare edhe për të penguar helenizimin e vendit. Shkollat shqipe do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, njësimin dhe emancipimin e popullit, si dhe propagandimin e ideve patriotike.
Naum Veqilharxhi, e kishte të qartë se theksimi i identitetit kombëtar shqiptar do të minimizonte identitetet fetare dhe dukurinë e mbylljes së identiteteve fetare midis tyre. Këtu është vendi për të paraqitur edhe idetë e rilindësit të madh Naum Veqilharxhi, lidhur me kombin dhe fetë e shqiptarëve. Në manifestin e famshëm, Letra drejtuar Jani Calit më 7 prill 1846, Naum Veqilharxhi shkruan se kombi shqiptar është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë të esencës. Në këtë mënyrë, Naum Veqilharxhi del i pari që shtroi problemin e përparësisë së kombësisë mbi fetë, duke ideuar në këtë mënyrë rikonstruksionin ose rilindjen e kombit shqiptar që përfshinte myslimanët, ortodoksët dhe katolikët.
Populli shqiptar nuk e kishte të vështirë t’i pranonte porositë e Naumit. Prej 10-15 shekujsh, kur pushtuesit e njëpasnjëshëm u impononin shqiptarëve fe të huaja, ata krijuan modelin e tyre, sipas të cilit besimet fetare u praktikuan në një mënyrë të veçantë, në mënyrën shqiptare, me tone të ulura ku nuk ka vend ideja e përçmimit të bashkëkombësve të feve të tjera dhe duke i lënë vendin respektit të ndërsjelltë. Natyrisht, çdonjëra prej feve ka pjesën e vet në ndërgjegjen historike, shpirtërore e kulturore të popullit tonë. Ato kanë sjellë vlerat e tyre dhe kanë pasuruar botën shpirtërore të shqiptarit, duke ruajtur gjithmonë një qëndrim të njësuar, veçanërisht, lidhur me qëndrimin ndaj ngjarjeve të rëndësishme historike e shoqërore që kanë përshkuar në shekuj jetën e shoqërisë shqiptare.
Fenomeni i harmonisë fetare ose i bashkëjetesës shqiptare, u bë tipari kryesor i kombit dhe hallka kryesore për ruajtjen e njësisë së kombit shqiptar në kushtet e ekzistencës së tri feve. Në këtë mënyrë, Naum Veqilharxhi, ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pasi shtroi problemin e përparësisë të kombësisë mbi fetë, që shqiptarët me vetëdije e kishin vënë në jetë shekuj më parë, përpunoi bazat filozofike të fenomenit të harmonisë fetare, në interes të rilindjes së kombit shqiptar dhe të luftës për çlirim kombëtar që do të synonte ngritjen e themeleve të shoqërisë shqiptare, pluraliste e moderne.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›