Kristo Frasheri: Stalini nuk e konsideronte komuniste partinë e Hoxhës
(Vijon nga numri i djeshëm)
Ishte viti 1946, - thotë E. Hoxha, - kur Nako Spiru, kryetar i Komisionit të Planit, po zhvillonte bisedime me krerët e Komisionit të Planit të Federatës Jugosllave për lidhjen e marrëveshjeve ekonomike me Shqipërinë. Pasi kryetari i Komisionit jugosllav Boris Kidriç i dorëzoi Nako Spirut projektin e marrëveshjes, ky ia përcolli menjëherë E. Hoxhës me radiogram për të marrë prej tij pëlqimin para se ta nënshkruante në emër të qeverisë shqiptare. "Përgjigjen, - shkruan E. Hoxha, - Nakoja e kërkonte brenda dy a tre ditëve. Mua më duhej t'i dërgoja patjetër Nakos, mendime dhe udhëzime, bile sa më të qarta dhe të sakta. Për këtë arsye, - shkruan ai më tej, - kreva në atë periudhë, në mes morisë të punëve të tjera, një kurs të vërtetë të përvetësimit intensiv të problemeve të ekonomisë.
Lexoja me ditë e netë të tëra nga Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini, atë literaturë në frëngjisht që mundnim të siguronim e që fliste për probleme të ekonomisë". Pas këtij "përvetësimi intensiv", Enver Hoxha i dërgoi udhëzimet e duhura Nako Spirut, i cili e nënshkroi konventën shqiptaro-jugosllave, më 27 nëntor 1946. Rezultati? Dihet se marrëveshjet qenë me të vërtetë skllavëruese për Shqipërinë, karakter të cilin Nako Spiru ishte ashtu si ishte e kuptoi sapo u kthye në Tiranë, kurse Enver Hoxha më vonë mburrej me guximin më të madh sikur gabimet e marrëveshjes i kishte zbuluar ai vetë më 1948.
I vetmi argument që përdorte Enver Hoxha për të justifikuar reformën e vet ishte, sipas shprehjes tjetër të tij, epërsia e ekonomisë socialiste ndaj ekonomisë kapitaliste. "Tani, - theksonte Enver Hoxha, - që kemi pushtetin politik në dorë, duhet të përmbysim me rrugë revolucionare ekonominë kapitaliste dhe ta shndërrojmë atë në ekonomi socialiste". (Po aty, f. 288).
Janë vlerësime të hedhura në letër më 1982, të cilat provojnë se edhe pas njëçerekshekulli E. Hoxha dëshmon se kishte mbetur ende "nxënës" në fushën e ekonomisë socialiste.
Me sa dihet, gjatë vizitës që Enver Hoxha me Koçi Xoxen kryen në Moskë në vitin 1947, Josif Stalini iu sugjeroi udhëheqësve shqiptarë që të mos nguteshin në vendimin që kishin marrë për të zbatuar në Shqipëri reformat radikale socialiste në industri dhe bujqësi si ato që kishte zbatuar Bashkimi Sovjetik. Madje, ai u sugjeroi që si hap të parë të ndryshonin emërtimin e Partisë Komuniste Shqiptare, të cilën ta quanin jo "Partia Komuniste e Shqipërisë", por "Partia e Punës e Shqipërisë". Dihet gjithashtu se këtë sugjerim ua drejtoi vetëm dy vendeve të prapambetura të planetit socialist, Shqipërisë dhe Koresë së Veriut. Kjo për arsye se Shqipëria për analogji edhe Korea e Veriut nuk i plotësonin parametrat social-ekonomike për të justifikuar ekzistencën e një Partie Komuniste. Përkundrazi, shndërrimi i Partisë Komuniste në Parti të Punës do të thoshte se Shqipëria në vend që t'i futej aventurës së regjimit komunist, t'i përmbahej platformës së demokracisë popullore, një platformë e përafërt me atë, siç është thënë, të social demokracisë, qoftë edhe radikale.
Një tjetër sinjal që tregonte se Bashkimi Sovjetik kishte rezerva ndaj PKSh-së si e tillë, ishte dhe mospërfshirja e saj në Kominform apo në Informbyronë (Byroja informative e partive komuniste e punëtore), e cila u krijua po atë vit, më 1947. Në këtë institucion ndërkombëtar afërsisht të përngjashëm me Kominternin, i cili ishte shpërndarë më 1943, për të koordinuar veprimtarinë doktrinore dhe ideologjike të Partive Komuniste të Evropës, u pranuan si anëtare - Partitë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Polonisë, Çekosllovakisë, Rumanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Jugosllavisë, Gjermanisë lindore, Italisë dhe Francës. Përkundrazi, PKSh-ja edhe pse ishte në pushtet as nuk u pranua si anëtare, as nuk u ftua të merrte pjesë në mbledhjet e tij. Sipas zërave që qarkullonin nën dhe, në qarqet zyrtare shqiptare, mospranimi i Shqipërisë si anëtare e Kominformit, kishte lidhje me përcaktimin e Stalinit, i cili nuk e konsideronte partinë në pushtet në Shqipëri, si parti komuniste. Me gjithë këtë porosi dhe këtë sinjal, Enver Hoxha me miratimin e Komitetit Qendror vendosi të vazhdonte në rrugën që kishte nisur: të zbatonte në Shqipëri pikë për pikë diktaturën staliniste të proletariatit, ashtu siç ishte zbatuar në Bashkimin Sovjetik. Ndoshta marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik mund të ishin acaruar më tej po të mos kishte ndodhur dënimi që Informbyroja i dha Partisë Komuniste Jugosllave në qershor të vitit 1948 si parti revizioniste. Por dënimin që Informbyroja dha për Partinë Komuniste Jugosllave, Enver Hoxha e shfrytëzoi duke u solidarizuar më ngushtë me Bashkimin Sovjetik, madje duke e dënuar më ashpër se partitë e tjera komuniste revizionizmin titist.
Më 1950 Moska i drejtoi Shqipërisë një porosi tjetër - të mos ngutej në fushatën për kolektivizimin e bujqësisë shqiptare. Nënteksti i saj ishte i qartë: të mos përdorte dhunë në adresë të fshatarësisë për të pranuar medoemos kolektivizimin e bujqësisë. Si përgjigje, PKSH-ja organizoi një plenium të veçantë (Pleniumi X), në punimet e të cilit u pranua se ishin kryer gabime në fushatën e kolektivizimit, se ato vendime të gabuara ishin marrë pa praninë e E. Hoxhës (sic!) dhe se gabimet do të ndreqeshin shumë shpejt. Por PKSh-ja vazhdoi me kokëfortësi rrugën e saj të gabuar. As Bashkimi Sovjetik, as Informbyroja nuk e shpunë punën më tej. Duket se në këtë rast arsyeja e shtetit (la raison d'Etat) mbisundoi mbi arsyen ideologjike. Besnikëria që Partia e Punës e Shqipërisë shprehu ndaj Bashkimit Sovjetik duket se e detyroi Moskën të linte mënjanë rezervat e saj ndaj politikës socialiste që ndiqte Partia e Punës dhe ta trajtonte Shqipërinë për hir të interesave të politikës së saj globale në Gjirin e Vlorës, si kështjellë e komunizmit në Evropën juglindore.
Zbatimi me dhunë në Shqipërinë e prapambetur të diktaturës së proletariatit, krejt e papërshtatshme për strukturën e saj social-ekonomike dhe për nivelin e saj politik e kulturor, e zhyti Shqipërinë në një krizë ekonomike jashtëzakonisht të thellë, të cilën ajo arriti ta përballonte me dhimbje të mëdha vetëm në sajë të terrorit dhe të ndihmës që i erdhi nga vendet socialiste. Ajo që e thelloi edhe më tepër krizën ishte fushata absurde që ndërmori PKSh-ja për të kryer gjithashtu me dhunë kolektivizimin e ekonomive fshatare në një kohë kur fshatarët e shihnin të ardhmen e tyre sipas premtimeve që u ishin bërë - te pajisja me tokë të mjaftueshme dhe te zhvillimi i ekonomisë bujqësore individuale. Kolektivizimi socialist i bujqësisë mund të justifikohej deri diku në viset fushore, ku kishte sipërfaqe të mjaftueshme bujqësore, ku kishte mundësi të viheshin në përdorim mjetet e mekanizuara, natyrisht ku kishte mundësi organizimi i punës së fshatarit në skuadra të specializuara, në degët e ndryshme të bujqësisë. Por kolektivizimi standard i bujqësisë në viset malore me toka bujqësore të pakta dhe me parcela të vogla dhe të shpërndara në shpatet e maleve, u duk që në fillim se nuk ishte produktiv. Për të pajtuar deri diku mendësinë tradicionale të fshatarit të lidhur pas ekonomisë individuale me programin ambicioz të ekonomisë kolektive që po përçonte Partia e Punës në fshat - në fillim u vendos që çdo familje anëtare e kooperativës bujqësore të pajisej me të ashtuquajturin "kopsht personal" prej tre dynymësh. Por sikurse do të thuhet më tej, kur u pa se për "kopshtin personal" fshatari tregonte interesim më të madh se për pronën kolektive, edhe ai u suprimua.
Mëkëmbja me dhunë e rendit komunist në Shqipëri krijoi jo rendin socialist, por një bastardim të tij. Me shtetëzimin e të gjitha mjeteve të prodhimit, në Shqipëri u krijua një pronar i vetëm - Shteti. Edhe sistemi kooperativist, i cili u organizua me dhunë në fshatin shqiptar, nuk ishte siç pretendonte PKSh-ja, një pronë kolektive, por një formë e kamufluar e pronës shtetërore, përderisa ajo administrohej nga po ai shtet që drejtonte pronën socialiste. Si rezultat i këtij sistemi ekonomik shoqëror tani në Shqipëri në fushën e mjeteve të prodhimit kishte vetëm një pronar. Duke qenë i vetmi pronar u zhduk teorikisht dhe praktikisht mundësia e një gare midis njësive ekonomike, - garë e cila e shtyn ekonominë e një vendi të ecë përpara. Në vend që në tregun shqiptar të lëvrinte nisma e qindra mijë pronarëve për ta shtyrë ekonominë, pra prodhimin përpara - tani për ta shtyrë atë të zhvillohej mendonte vetëm shteti. Natyrisht praktika tregoi se shteti socialist nuk mund të bënte dot garë me vetveten dhe as që mund të pranonte dështimin e njësive prodhuese të prapambetura ose të paafta.
Politika e "djegies së etapave" ashtu siç u zbatua në Shqipëri pati një pasojë dramatike në ekonominë shqiptare. Ekonominë private nuk e goditi gara e ekonomisë socialiste. Atë e goditi për vdekje administrata shtetërore, e cila e kufizoi, pastaj e ndaloi administrativisht përpara se të mëkëmbej ekonomia socialiste. Me fjalë të shkoqura, ndërsa industria dhe bujqësia private pushuan së furnizuari tregun me prodhimet e tyre - industria dhe bujqësia socialiste ishin ende në klloçitje, pra të paafta për të furnizuar tregun me prodhimet e konsumit të përditshëm. Si rrjedhim, ndërsa tregu privat fshatar po zvogëlohej nga dita në ditë, dyqanet ushqimore të shtetit i kishin ende raftet bosh. Çmimet e artikujve ushqimorë u rritën në kulm. Me kufizimet që shteti i imponoi importit, në treg, artikujt industrialë filluan ose të mungonin, ose të shiteshin me çmime të larta. Të gjitha këto shkaktuan një varfërim të përgjithshëm të popullsisë, e cila mori përpjesëtime galopante gjatë viteve 1949-1953. Këtu nuk është vendi për të rreshtuar arnat pa sukses, të cilat pushteti komunist ndërmori për të kapërcyer krizën e thellë. E tillë ishte për shembull pajisja e popullsisë me triska, të cilat jo rrallë nga mungesa e artikujve ushqimorë mbeteshin të papërdorura nga qytetarët, ose shpikja e sistemit "reciprok", sipas të cilit, fshatari mund të blinte artikujt industriale (sheqer, vaj, vajguri, sapun, basmë) vetëm në raport me sasinë e caktuar të prodhimeve bujqësore ose blegtorale që dorëzonte në shtet. Për të përballuar tronditjet që shkaktoi kriza jo vetëm në masat e popullsisë, por dhe në radhët e vetë komunistëve, partia ndërhyri duke ashpërsuar të ashtuquajturën luftë të klasave në të cilën u përfshinë edhe jo pak kuadro të larta komuniste. Në këtë periudhë u harruan kolaboracionistët së bashku me ballistët apo zogistët me të cilët PKSh-ja u morr më 1945. U harruan gjithashtu aleatët demokratë, të cilët u bënë objekt persekutimesh dhe dënimesh gjatë viteve 1946-1947. Tani shpata e rëndë e Partisë së Punës së Shqipërisë ra mbi komunistët e tronditur nga "djegia e etapave". Goditja përfshiu edhe anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, pra udhëheqës kryesor të Partisë së Punës, siç ishin Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Tuk Jakova, Bedri Spahiu dhe plot të tjerë. Brezi i moshuar e mban mend mirë se në ç'varfëri të thellë u zhyt në ato vite Shqipëria.
Pakënaqësia që pushtoi jo pak udhëheqës të Partisë Komuniste tregon se programi i saj për të ndërtuar me metodë brutale një shoqëri të papërshtatshme për strukturën ekonomike-shoqërore të vendit, kishte dështuar plotësisht. Shfaqja më spektakolare e pakënaqësisë që kishte pushtuar vetë militantët komunistë ishte Konferenca e Partisë së Punës të Shqipërisë për rrethin e Tiranës, që u zhvillua në javën e parë të muajit prill të vitit 1956. Konferenca e cila u mblodh për të zgjedhur delegatët që do ta përfaqësonin organizatën komuniste të kryeqytetit në Kongresin III të PPSh-së, u shndërrua që në fillim në një arenë kritikash kundër udhëheqjes së partisë për gabimet e saj në drejtimin e deriatëhershëm partiak të vendit.
Në sajë të këtyre protestave që e mbushën sallën, Konferenca e Tiranës, e prillit të vitit 1956, u konsiderua me të drejtë nga opinioni shqiptar si një tërmet politik. Por, amplifikimi i protestave u ndërpre nga ndërhyrja e ashpër e diktaturës komuniste kundër anëtarëve të saj, si shpërblim për guximin që patën të flisnin kundër politikës së partisë së tyre.
Nëse e vëzhgojmë këtë "tërmet" nga historia evropiane, mund të pohojmë pa ndrojtje se Tirana lëshoi alarmin për defektet e regjimit komunist shtatë muaj përpara protestës revolucionare të Budapestit, e cila shpërtheu në nëntor 1956.
Shtetet e kampit socialist kishin vite që e parashikonin tërmetin që ndodhi në Tiranë në prillin e vitit 1956. Por këshillat e tyre drejtuar Partisë së Punës të Shqipërisë për të hequr dorë nga zbatimi me dhunë i reformave të nxituara, Tirana nuk kishte vesh t'i dëgjonte. Ajo vazhdoi edhe më pas t'i shtrëngonte hallkat e diktaturës. Të shqetësuar nga se "tërmetin" mund ta shfrytëzonin fuqitë perëndimore për të përmbysur situatën e brendshme të Shqipërisë - shtetet e kampit socialist me në krye Bashkimin Sovjetik në vend që ta anatemonin siç vepruan me titistët, vendosën për motive strategjike ta ndihmonin qeverinë komuniste të Tiranës me të dyja duart. Pikërisht për këtë arsye nuk u përsërit qëndrimi kritik që mbajti Informbyroja në vitin 1948 ndaj Partisë Komuniste Jugosllave.
Shqipërinë këtë radhë ato e përfshinë në Traktatin e Varshavës, i cili u krijua më 1955 për të mbrojtur statusin politik të shteteve të kampit socialist. Veç kësaj, ato vendosën ta ndihmonin Shqipërinë financiarisht pa kursim për të kapërcyer krizën e thellë ekonomike dhe për të krijuar bazën materiale e cila ta bënte vendin të ecte sa më parë me këmbët e veta. Si shpërblim qeveria e Tiranës pranoi të vinte në dispozicion të Traktatit të Varshavës bazën detare të Vlorës.
Përfundimisht me kontributet e tyre financiare të pakursyera, Shqipëria e përballoi krizën. Madje, në sajë të këtyre ndihmave ajo realizoi me ritëm të përshpejtuar industrializimin e vendit dhe mekanizimin e bujqësisë. U shtuan fabrikat e industrisë së lehtë dhe të industrisë mekanike; u rrit me shpejtësi numri i kombinateve; përfundoi elektrifikimi masiv i vendit; u kalua në industrinë e rëndë; u përmirësua rrjeti rrugor, automobilistik dhe hekurudhor; u likuidua analfabetizmi; Shqipëria u pajis me universitete shkencore, me institucione kulturore, artistike, sportive moderne, etj. Në sajë të këtyre hapave të përshpejtuara ndryshoi fizionomia ekonomike e Shqipërisë. Nga një vend i prapambetur agraro-zejtar siç ishte më parë, u shndërrua në një vend për nga baza ekonomike industrialo-agrar i përparuar.
Me gjithë këto përparime Shqipëria komuniste mbeti e gozhduar pas dogmatizmit të saj stalinist. Ndërkohë vendet e demokracive popullore tashmë të çliruara nga dogmatizmi stalinist, vazhduan të ushtronin presion ndaj udhëheqjes komuniste shqiptare, për ta zbutur radikalizmin në qeverisje. Por, Enver Hoxha me ekipin e vet nuk e ndryshoi stilin e qeverisjes së vendit. Prerja më 1961 e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe me demokracitë socialiste të Evropës lindore, u konsiderua nga E. Hoxha si çlirim nga presioni që ushtronte Moska për ta detyruar Shqipërinë të ecte drejt të ashtuquajturit "revizionizëm" modern. Shkëputja e bazës detare të Vlorës nga kontrolli i Traktatit të Varshavës, në fakt nga kontrolli i Bashkimit Sovjetik, u konsiderua nga opinioni publik shqiptar si një hap pozitiv drejt pavarësisë së vendit. Por nga ana tjetër, hapi pozitiv u pasua nga një hap, i cili u prit pa entuziazëm. Me qëllim që t'i bënte ballë presionit të Moskës dhe ndërprerjes së ndihmave, Enver Hoxha me ekipin e vet u lidh ngushtë jo me Perëndimin, por me Partinë Komuniste të Kinës maoiste, e cila ishte në konflikt ideologjik me Moskën. Kthesa drejt Kinës nuk shënoi zbutje, por radikalizimin e mëtejshëm të diktaturës staliniste. Ky radikalizim i skajshëm u quajt "Revolucionarizim i mëtejshëm i jetës së vendit". Pekini nuk ia kurseu ndihmat Shqipërisë të cilën e quajti "fanar ndriçues i komunizmit në Evropë". Enver Hoxha i kënaqur nga ndihma dhe nga vlerësimet filloi të kopjonte disa nga shfaqjet më të papërshtatshme të "maoizmit". Revolucionarizimi i mëtejshëm i kooperativave bujqësore u thellua kryesisht në kurriz të fshatarit kooperativist. Kopshti personal, i cili më parë përfshinte tre dynymë tokë, zbriti në një dynym për familje, kurse pak më vonë u hoq fare. Kulmin "revolucionarizimi" e arriti kur fshatarit iu hoq e drejta të kishte në oborrin e vet edhe një bagëti qumështi. Veç kësaj, ai nuk duhet të kishte asnjë pulë apo gjel. Në atë kohë u përhap fjala se në oborrin e fshatarit kooperativist shqiptar nuk duhej të dëgjohej as kakarisja e pulës dhe as kënga e gjelit. Revolucionarizimi i mëtejshëm u thellua edhe në qytet. Ashtu si në fshat, edhe në qytet u shtetëzua plotësisht puna e punëtorit jo vetëm brenda por edhe jashtë qendrës së punës, pra jashtë orarit. Rrobaqepësi, për shembull, nuk mund të qepte asnjë kostum në shtëpinë e vet, sepse prodhimi i punës së tij tani i takonte shtetit.
Është e tepërt të thuhet se revolucionarizimi mori në fushën e kulturës dhe të ndërgjegjes përmasa të padëgjuara deri atëherë. Shqipëria e cilësuar në kushtetutë si një shtet laik, tani u shpall një vend antifetar. Besimi fetar u cilësua si kapitullim përpara borgjezisë ndërkombëtare. Kishat dhe xhamitë u mbyllën. Klerikët e të gjitha feve u ndaluan të ushtronin shërbesa fetare. Shumica e faltoreve u rrënuan ose u kthyen në depo apo magazina. Ato që kishin vlerë artistike dhe historike u kursyen, por shërbimi ritual në to u ndalua.
Vetëkuptohet se ky revolucionarizim i dhunshëm, i cili fyente të drejtën më elementare të qytetarit, atë të lirisë së ndërgjegjes, pati reagime të heshtura, por jo protesta të hapta. Kjo për arsye se për t'u shpëtuar persekutimeve, qytetarët në përgjithësi u treguan të përmbajtur në reagim. Kush guxoi ta shfaqte reagimin e vet qoftë edhe në format e zbutura, kur nuk përputhej me pikëpamjet e Partisë dënohej rëndë. Si përgjigje, Partia e Punës në emër të luftës së klasave e shkallëzoi tej mase terrorin politik.
Më tepër se mbi qytetarët e thjeshtë, terrori komunist ra mbi vetë kuadrot komuniste të partisë. Gjatë viteve '70 pastrimi i partisë nga të ashtuquajturit kuadro të dyshuar për revizionizëm rimori përpjesëtime të mëdha. Jo pak anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, pasi u përjashtuan, u burgosën ose u internuan. Në të njëjtën kohë, nga frika e reagimit të kuadrove të Ushtrisë, partia shpërtheu ndaj tyre, pa u shfaqur ende reagimet, dënime në masë. Kuadrot më të larta ushtarake me në krye ministrin e Mbrojtjes dhe shefat e Shtabit të Përgjithshëm u pushkatuan. Të tjerë gjeneralë së bashku me plot oficerë madhorë u burgosën apo u internuan. Viktimë e luftës së klasave u bë dhe vetë Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ai u akuzua se kishte lejuar të birin të fejohej me një vajzë, e cila kishte një dajë të mërguar në SHBA. Ndonëse fejesa u prish menjëherë, Mehmet Shehu, figura e dytë madhore e regjimit, në përfundim të një presioni të jashtëzakonshëm u detyrua më 17 dhjetor 1981 të vriste veten.
(Vijon nesër )
(er.nu/GSH/BalkanWeb)