E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet dita zero

Edhe pse zyrtarë të Komunës së Prishtinës patën premtuar që brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, do të bëhet Ortofoto, që do të pasqyronte gjendjen aktuale të Prishtinës, kjo nuk ndodhi.

“Parashihet që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti të porositet një fotografim i Prishtinës në detaje, për gjendjen e përgjithshme të qytetit, duke përfshirë edhe ndërtimet pa leje”, pati deklaruar muaj më parë, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

Kurse tash, ai thotë që së pari duhet të formohet sektori, i cili do të merret me trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Posa të formohet ky komision, do të caktohet edhe dita zero, atëherë do të fillojnë të gjitha procedurat. Do të bëhet edhe fushatë mediale, ku do të informohen qytetarët për afatin e paraqitjes së objektit pa leje”, thekson Gashi për Express.

Dita zero, siç e ka pagëzuar Komuna, ditën e fotografimit të qytetit, është dita kur do t’i vijë fundi një objekti i cili do të ndërtohet pa lejen e Komunës.

Pas përfundimit të luftës edhe KFOR-i ka bërë disa fotografi, por jo në mënyrë të detajizuar. Kurse, hera e fundit kur është bërë fotografimi i Prishtinës në detaje, ka qenë viti 1980. Prej asaj kohe, Prishtina ka ndryshuar shumë. Numri i ndërtimeve të vrazhda çdo ditë sa vjen e rritet, në mungesë të kësaj fotoje.

Kurse për Shemsi Veselin, shef i Grupit parlamentar në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e PDK-së, këto vonesa bëhen vetëm për të blerë kohë në mosangazhimin e punëve të udhëheqjes komunale.

“Sidomos në raport me ndërtimet pa leje. Me një fjalë, e gjithë kjo vonesë është për të fituar poena politikë, sepse fakti që incizohet Prishtina, nuk do të thotë që këto ndërtime do të ndalohen”, shprehet Veseli për Express.

Sipas tij, Komuna nuk duhet të presë derisa të formohet komisioni i posaçëm për këtë çështje. Ai thotë që për të ndaluar këtë fenomen, duhet të hyjë në veprim Inspeksioni.

“Po e them këtë se kurrë nuk kemi pasur ndonjë raport ku përcaktohen pikat të cilat e kanë lejuar një ndërtim, e ku Inspeksioni ka qenë aty për të kontrolluar punën”, tregon opozitari Veseli.

Edhe përkundër vonesave të Komunës, arkitektët kosovarë nuk shpresojnë shumë në ndalimin e këtyre ndërtimeve, edhe kur kjo ditë të vijë.

Valdet Osmani, udhëheqës i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, shprehet qartë se trajtimin e ndërtimeve pa leje nuk e ndalon asgjë. As manuali, e as fotografimi i Prishtinës.

“Ato nuk mund të ndalohen nga një fotografi që i bëhet qytetit. Këtë dukuri e ndalojnë njerëzit, proceset se si merret një leje për ndërtim dhe transparenca e Komunës në marrjen e kësaj leje”, thekson Osmani për Express.

Sidoqoftë, të gjitha objektet që janë ndërtuar gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit, e që nuk kanë leje për ndërtim, tani kanë një shans për t’u legalizuar. Kjo, sepse para një viti Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka botuar një doracak, i cili do t’u shpërndahet qytetarëve. Aty gjinden të gjitha kushtet e parashtruara, që e bëjnë shumë të thjeshtë një legalizim të tillë, pa marrë parasysh kohën e ndërtimit të këtyre objekteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›