E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrojeni statusin

Raportet Kosovë-Serbi mund të relaksohen vetëm kur të dyja vendet nuk do t’i referohen për çdo gjë çështjes së statusit.

Kështu vlerëson i ngarkuari i Bashkimit Europian për Veriun e Kosovës, Ambasadori Michael Giffoni, i cili është edhe Ambasador i Italisë në Kosovë.

“Mendoj se një element është i rëndësishëm të merret në konsideratë e ky është depolitizimi i çështjes së statusit të Kosovës dhe jo për çdo gjë të referohet në statusin e Kosovës. Por, të fillohet një dialog për çështje pragmatike dhe në veri ka shumë të tilla që kërkojnë zgjidhje. E përmenda edhe më herët, është zhvillimi ekonomik i asaj pjese, është çështja e kthimit të banorëve të shpërngulur, paqartësitë rreth pronave, çështja e gjykatave në veri dhe shumë e shumë çështje tjera. Nëse nga të dyja palët ekziston synimi që në këtë linjë të bisedohet, atëherë mund të kemi relaksim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Giffoni.

Në një intervistë për radion Deutsche Welle, Giffoni ka thënë se në veri të Kosovës vazhdon të ketë një situatë të status-quo, si për institucionet e Kosovës ashtu edhe për institucionet e Serbisë si dhe për qytetarët që jetojnë atje.

Sipas tij, për të dalë nga kjo situatë nevojiten angazhime nga të gjithë faktorët relevantë që të promovojnë vlera europiane në këtë pjesë të Kosovës.

“Nevojitet që të ketë koncentrim në disa çështje konkrete. Ato janë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare dhe po ashtu edhe kthimi i banorëve të shpërngulur”, ka thënë ai.

Giffoni pohon se zyra e Bashkimit Europian, të cilën e udhëheq ai, angazhohet jo vetëm për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, por që të promovojë vlerat e europiane edhe në këtë pjesë të Kosovës, ashtu siç ka bërë në rajonet tjera të vendit dhe në tërë Ballkanin Perëndimor.
Në veri të Kosovës që nga përfundimi i luftës ekzistojnë strukturat paralele serbe. Këto struktura, sipas Ambasadorit italian, janë pengesë për integrimin e serbëve.

“Nëse ata synojnë në mentalitetin e tyre që me pjesëmarrjen e njerëzve në strukturat paralele t'i përdorin si një instrument që të refuzojnë integrimin, atëherë këto struktura paralele janë pengesë për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare. Por, nëse vërtet qëllimi i tyre është që t'u ndihmojnë njerëzve atje, atëherë kjo është një gjë pozitive, mirëpo nga pikëpamja e përgjithshme ato pengojnë integrimin e serbëve”, thotë Ambasadori Michael Giffoni.
Qeveria e Serbisë në fund të këtij muaji do të organizojë zgjedhje lokale në veri të Mitrovicës, si kundërpërgjigje ndaj synimeve të Qeverisë së Kosovës që të formojë komunën e re serbe të veriut të Mitrovicës.

Giffoni thotë se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të njihet.

“Nuk mund t'i konsiderojmë këto zgjedhje dhe institucionet që dalin prej tyre si zgjedhje legale, sepse nuk mbështeten në asnjë bazë ligjore, madje as në Rezolutën 1244”, thotë Ambasadori Giffoni.

Diplomati italian nuk pajtohet që autoritetet e Prishtinës duhet të përdorin masa që do ta parandalonin mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Pse të intervenohet për diçka që nuk është relevante. Është shumë e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar dhe po ashtu edhe për institucionet e Kosovës që të tentojnë të kenë një rol në veri të Kosovës dhe jo thjesht të intervenojnë dhe të parandalojnë ndonjë zhvillim”, thotë Michael Giffoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›