Harry dhe Meghan rikthehen në Britani – Çifti lë pas tensionet me familjen mbretërore dhe mediat

Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle pritet të rikthehen në Britani këtë muaj, gjashtë vite pasi u tërhoqën nga detyrat mbretërore dhe u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një burimi pranë çiftit, rikthimi do të jetë për një periudhë të gjatë dhe bashkë me ta do të jenë edhe dy fëmijët, Archie dhe Lilibet. Fëmijët pritet të nisin shkollën në Britani në muajin shtator, ndërsa familja nuk do të vendoset në një rezidencë mbretërore.
Harry dhe Meghan do të vazhdojnë të kenë statusin e anëtarëve joaktivë të familjes mbretërore, sipas marrëveshjes së vitit 2020. Rikthimi vjen pas vitesh marrëdhëniesh të tensionuara me familjen mbretërore dhe përplasjeve të forta me mediat britanike.
Megjithatë, raportimet tregojnë se marrëdhënia mes Harryt dhe babait të tij, mbretit Charles III, është përmirësuar.
Mbreti, i cili po trajtohet për kancer, ka mirëpritur vizitat e djalit dhe familjes së tij, ndërsa muajin e kaluar takoi sërish Archie dhe Lilibet.
Dëshira e Harryt për të qëndruar më pranë të atit raportohet të jetë një nga arsyet kryesore të rikthimit në Britani.
Ndërkohë, marrëdhënia mes Harryt dhe vëllait të tij, princit William, mbetet e ftohtë dhe larg afrimit.
Tashmë, rikthimi i çiftit shihet si një zhvillim i rëndësishëm për familjen mbretërore, ndërsa prania e tyre në Britani mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e brendshme të familjes.
/rtsh.al/