Harta e qendrave të votimit, Celibashi: Bashkitë që s’i kanë sjellë, të përmbushin detyrimet, është tejkaluar çdo afat

Qendrat e votimit dhe publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhor, vijojnë të mbetet problem në disa bashki të vendit, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Ka qenë vetë kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili nëpërmjet një njoftimi, ka ngritur këtë shqetësim. Ai ka kërkuar nga bashkitë, të cilat ende nuk kanë dërguar elektronikisht hartën e qendrave të votimit, të përmbushnin detyrimet e tyre sa më shpejt.
Celibashi shkruan se duke qenë se afati për paraqitjen e hartave tashmë është tejkaluar, bashkitë të cilat ende nuk i kanë dorëzuar ato, të marrin masa të menjëhershme.
“Në vijim të bashkëpunimit dhe komunikimit mbi organizimin e proçesit zgjedhor të dates 14 maj 2023, KQZ ka administruar informacionin e ardhur në rrugë elektronike dhe postare për qendrat e votimit dhe për publikimin e ekstraktit të përbërësve zgjedhor, nga ku rezulton se jo të gjitha bashkitë kanë përmbushur detyrimin e tyre. Duke qënë në tejkalim të çdo afati, kërkohet që bashkitë të cilat ende nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor të mësipërm të marrin masa MENJËHERË dhe të përmbushin detyrimet e tyre. Gjithashtu duhet realizuar në të njëjtën kohë edhe dërgimi në rrugë elektronike i hartave të qendrave të votimit në adresën email: vendore@kqz.gov.al”- njofton Celibashi.
/rtsh.al/