Hasani: Nga sot, s’kemi dyshim që do të jemi pjesë e BE-së

TIRANË, 15 tetor/ATSH/Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi se që nga sot, s’ka dyshim që Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së duke iu referuar çeljes së negociatave për grupkapitullin “Themeloret” në konferencën e dytë ndërqeveritare mbajtur sot në Luksemburg.
Në një intervistë televizive, Hasani theksoi se dita e sotme është bashkimi i përpjekjes së negociatave politike me ato teknike.
“S’ka më arsye të mosarsyes, por është rrugë e qartë, e mirëpërcaktuar dhe e trajtuar që shoqëria shqiptare ka me Komisionin Evropian”, theksoi ai.
“Kemi një dakordësi me presidencën hungareze për një konferencë tjetër ndërqeveritare, ndoshta në dhjetor, për kapitullin e gjashtë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, ku kemi treguar se jemi një vend i angazhuar me politikën e jashtme dhe mendoj se aty kemi edhe një eksperiencë shumë të mirë jo vetëm për të dhënë por edhe për të avancuar më shumë. 6 grup kapitujt shpresoj që t’i hapim sa më shpejt”, u shpreh Hasani.
Hasani tha se BE po përgatitet që ta përfshijë Shqipërinë në gjirin e vet.
“Vullneti politik i Brukselit është i qartë. Zgjerimi është një nga çështjet kryesore të axhendës. Lufta në Ukrainë, sulmi rus ishte këmbanë zgjimi për ata njerëz që kanë në dorë fatet e angazhimeve të vendeve dhe është realitet i madh që fakti që Shqipëria ka përpjekje të mira edhe me vendet e tjera për të hapur apo mbyllur kapitujt me vendet që kanë pasur një progres të caktuar. BE përgatitet që të ftojë anëtarë të rinj, dhe po bëhet gati që të ketë në gjirin e vet vende si Shqipëria”, tha Hasani.
Ministri Hasani u shpreh se pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian për grup- kapitujt e parë, kërkohet që tanimë të fillohet nga puna në aspektin teknik.
“Integrimi nga pikëpamja teknike ka qenë gjithmonë i varur nga ato që ndodhin në Tiranë. Nga pikëpamja politike ka pasur ecejaket e veta. Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë, të fillojmë punën në aspektin teknik. Të mbyllim sa më shpejt grup- kapitujt, të jemi gati që në momentin e duhur, kur të merret vendimi politik, të kemi sa më pak pikëpyetje”, nënvizoi Hasani.
Shqiptarët, vijoi Hasani, e kanë bërë zgjedhjen, shqiptarët janë evropianë, në mendim dhe në sjellje, tani duhet të jenë edhe në veprim.
“Duhet të shndërrohemi në evropianë edhe në mënyrën si veprojmë, në mënyrën si angazhohemi. Pjesa e diskurit politik, përfitimit apo humbjeve politike, mendoj se nuk duhet të përfshihet fare këtu. Është moment deçiziv për të gjithë ne që të arrijmë të kuptojmë që e ardhmja jonë është e ardhmja në Bashkimin Evropian”, tha Hasani.
/k.s/