Hasani: Thellojmë bashkëpunimin gjatë Presidencës qipriote të BE-së

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Constantinos Kombos, i ftuar i nderit në Konferencën e Ambasadorëve Shqiptarë “Diplo 2025”.
Në qendër të bisedës ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Hasani nënvizoi se integrimi evropian është prioritet kombëtar dhe theksoi rolin që do të ketë Presidenca e ardhshme e Qipros në Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2026.
“Presim të thellojmë bashkëpunimin me Qipron gjatë Presidencës së saj, një moment kyç për të avancuar integrimin e Shqipërisë”, tha ai.
Takimi u fokusua gjithashtu tek forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fusha si ekonomia, turizmi, energjia dhe lidhjet tregtare, si dhe tek mundësitë për projekte të përbashkëta me interes për të dy vendet.
Vizita e Ministrit Kombos në Tiranë shënon një hap të ri në bashkëpunimin politik midis Shqipërisë dhe Qipros, në prag të 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
1 nga 5/gj.m/