E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Dhjetëra mijëra protestues: Të vendoset “Vija e Kuqe” për Gazën

BRUKSEL, 8 shtator /ATSH/- Disa ditë pasi Belgjika njoftoi se do të vendoste sanksione kundër Izraelit dhe do të njihte Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, këtë muaj – organizatorët thanë se protestat janë rezultat i presionit publik, sipas “Euronews”.

Dhjetëra mijëra demonstrues të veshur me të kuqe u mblodhën dje në Bruksel – për të protestuar kundër qeverisë izraelite dhe për të vendosur një “Vijë të Kuqe” simbolike kundër luftës së saj në Gazë.

Protestuesit gjithashtu po u bëjnë thirrje shteteve anëtare të BE-së të mbajnë një qëndrim më të ashpër dhe të vendosin sanksione të ashpra kundër Izraelit.

Policia lokale vlerësoi se rreth 70 000 demonstrues morën pjesë në protestën e dytë të marshimit “Vija e Kuqe për Gazën” në Bruksel, por organizatorët e protestës vlerësojnë se 110 000 njerëz morën pjesë gjatë marshimit në të gjithë kryeqytetin belg, i cili ishte 3,5 kilometra i gjatë.

Më shumë se 200 grupe të të drejtave të njeriut dhe agjenci të ndihmave, përfshirë “Oxfam”, “Mjekët pa Kufij”, “Amnesty International”, “Greenpeace”, “Save the Children” dhe të tjerë, morën pjesë në protestë.

Protesta vjen disa ditë pasi Belgjika njoftoi se do t’i bashkohej Britanisë së Madhe dhe Francës në njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë muaj dhe se do të vendoste sanksione kundër Izraelit, në kushte të caktuara.

Organizata “Oxfam Belgium” ka mbledhur 100 000 nënshkrime që kërkojnë një armëpushim të përhershëm dhe fundin e dhunës dhe pushtimit të paligjshëm në territoret palestineze, qasje të sigurt dhe të pakufizuar në ndihmën humanitare për civilët palestinezë dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Izraelit.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›