Hasani kthehet nga Amerika

Plejmejkeri prishtinas, Muhamed Hasani pritet të largohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kthehet në Kosovë për arsye personale, kanë bërë të ditur mediet amerikane.
Ai në shtator të vitit të kaluar ishte transferuar prej Sigal Prishtinës te Rutgers, për të vazhduar shkollimin dhe të luajë për klubin nga një kolegj amerikan në New Jersey.
Mirëpo, pas pesë muajve të kaluar në SHBA, Hasani 21 vjeç pritet të kthehet në vendlindje. Arsyeja e largimit të Hasanit thuhet se ka të bëjë me çështje private të tij dhe nuk ka lidhje me sportin.
“Ne jemi afër Muhamedit dhe familjes së tij”, tha trajneri i Rutgers, Fred Hill në një komunikatë të publikuar nga ueb faqja zyrtare e klubit. “Gjendja e mirë e tij është brenga jonë kryesore. Ai duhet të kthehet në shtëpi dhe ne e përkrahim vendimin e tij”, shtoi ai.
Hasani nuk ishte paraqitur për Rutgers nga fillimi i këtij viti, kur i ishte nënshtruar një operacioni të gjurit më 30 dhjetor. Ai i mungoi ekipit në ndeshjet në Big East. Para se t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike, Hasani ishte paraqitur në nëntë ndeshje dhe kishte mesatare prej 4.2 minuta në lojë, dhe 0.7 pikëve për ndeshje.
Me largimin e tij, Rutgers kanë mbetur me vetëm nëntë basketbollistë në ekipin e tyre. Transferimi i Hasanit në SHBA ishte shumë i veçantë. Kontakti i tij me Rutgers ishte bërë me fat.
I vendosur të luajë basketboll në një kolegj në Amerikë, Hasani ka vizituar ueb faqen zyrtare të NCAA-së, ka marrë adresat elektronikë të trajnerëve të më tepër se 300 shkollave dhe u ka dërguar informacione dhe xhirime të paraqitjeve të tij me shpresë të zgjojë interesimin e tyre.
Ai i pëlqeu trajnerit të Rutgers, Fred Hill, i cili i ofroi mundësinë e shkuarjes në klub. Fillimisht gjithçka dukej se po shkon mirë, mirëpo me kalimin e kohës duket se Hasani ka pasur vështirësi të ambientohet në shtetin e huaj.