E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hasani në Athinë: Partneritet i qëndrueshëm për një të ardhme evropiane të përbashkët

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu grek, George Gerapetritis, dhe nga Presidenti i Republikës Helenike,  Constantinos Tassoulas.

Vizita shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke riafirmuar angazhimin për një partneritet të qëndrueshëm, të bazuar në respekt të ndërsjellë, afërsi strategjike dhe vizion të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe funksionale.

“Rikonfirmuam vullnetin për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë dypalësh – të ndërtuar mbi besimin, interesat strategjike dhe rolin tonë të përbashkët si aleatë në NATO. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për konsolidimin e vizionit evropian në Ballkanin Perëndimor”, tha Hasani.

Palët zhvilluan një shkëmbim të thelluar mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, i cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria shqiptare.

“Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë këtij procesi dhe për rolin e saj si një partner aktiv dhe fqinj me të cilin ndajmë interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta,” deklaroi Hasani.

Në lidhje me çështjet e hapura dypalëshe, Ministri Hasani u shpreh se “ka ardhur koha për të trajtuar me seriozitet dhe qasje konstruktive të gjitha çështjet e mbetura. Është në interesin e përbashkët të dy vendeve që këto tema të adresohen përmes dialogut të sinqertë, respektit të ndërsjellë dhe përputhshmërisë me të drejtën ndërkombëtare.”

Në takimin me Presidentin e Republikës, u theksua dinamika pozitive e dialogut mes dy qeverive dhe rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

“Vlerësova bashkëpunimin e qëndrueshëm ekonomik mes vendeve tona, si dhe rolin e dyfishtë të Greqisë si partneri ynë më i madh tregtar dhe përkrahës i palëkundur i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian,” tha Hasani.

Në kuadër të vizitës, Ministri Hasani është i ftuar në një diskutim me anëtarë të Institutit ELIAMEP – një ndër institucionet më të njohura në Greqi për çështjet e politikës së jashtme dhe evropiane – ku do të paraqesë zhvillimet më të fundit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe angazhimet e saj reformuese.

Vizita do të mbyllet me një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve greke, medias, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në Greqi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›