Ukraina sulmon sërish urën e Kerçit në Krime, 1100 kg eksploziv shpërthejnë nën ujë

Inteligjenca ukrainase ka sulmuar urën e Kerçit në Krime, pjesë e infrastrukturës ruse e ndërtuar ilegalisht pas aneksimit të njëanshëm të gadishullit ukrainas në 2014-n.
Sulmi i kryer nga shërbimi i sigurisë së Ukrainës herët këtë mëngjes, dyshohet se përfshinte 1,100 kg eksploziv të vendosur fshehurazi nën bazën e tij muaj më parë.
Shërbimet e sigurisë në Kiev publikuan një video të sulmit, që tregon shpërthimet nënujore.
Në një deklaratë zyrtare në rrjetin “Telegram”, agjencia e spiunazhit sqaroi se si kishte arritur të godiste urën ruse për herë të tretë që nga fillimi i pushtimit në shkurt të 2022-shit.
“Operacioni, kërkoi muaj të tërë për t’u planifikuar. Sot, pa asnjë viktimë midis popullatës civile, në orën 4:44 të mëngjesit u aktivizua pajisja e parë shpërthyese!”, tha SBU-ja e Ukrainës në një deklaratë. Agjentët e SBU-së minuan themelet mbajtëse të kësaj strukture të paligjshme pa shkaktuar dëme në njerëz”, thuhet në komunikatë.
Agjencia shtoi se themelet nënujore të urës u dëmtuan rëndë pasi në tërësi u përdorën 1 mijë e 100 kilogramë eksploziv i llojit tritol.
Ura e Kerçit lidh Rusinë me gadishullin ukrainas dhe përbën një aks të rëndësishëm transporti dhe furnizimesh për trupat ruse që ndodhen në territoret e pushtuara në jug të Ukrainës.
Kievi e ka vënë në shënjestër atë dy herë në të kaluarën, njëherë në tetor të vitit 2022 dhe herën tjetër në korrik të vitit pasardhës, duke e dëmtuar, por jo duke e shkatërruar.
Operacioni në fjalë pason atë masiv me dronë ndaj objektivave strategjikë të aviacionit rus, i mbikëqyrur personalisht nga shefi i SBU-së, Vasyl Maliuk.
/rtsh.al/