E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasani në Romë: Mbështetja e Italisë për Shqipërinë, e vazhdueshme dhe konkrete

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vlerësoi mbështetjen e Italisë për Shqipërinë si të vazhdueshme, konkrete dhe të sinqertë, duke theksuar se ajo mbështetet nga i gjithë spektri politik italian.

Gjatë një vizite zyrtare në Rome, Hasani zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të politikës italiane, ku në fokus ishin procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve.

Ai u takua me senatorin Maurizio Gasparri, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen në Senatin italian; me deputetin Piero Fassino të Partisë Demokratike, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve dhe raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor; si dhe me deputetin Arnaldo Lomuti, kryetar i Seksionit të Miqësisë Itali–Shqipëri në Unionin Ndërparlamentar.

“Në fokus të diskutimeve ishte progresi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ruajtja e ritmit të reformave dhe negociatave, si dhe rëndësia strategjike e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi parlamentar mes Shqipërisë dhe Italisë mbetet një instrument i rëndësishëm”, u shpreh Hasani.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë në Romë dhe me kënaqësi për të vijuar së shpejti këto shkëmbime në Tiranë” shkroi Hasani në rrjete sociale.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›