E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Thaçi: SHBA-të sinonim i lirisë

PRISHTINË-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uroi sot Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e 237 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një mesazh dërguar Presidentit Obama Kryeministri Thaçi shkruan se "Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës na kujton vlerat dhe historinë e vendit tuaj, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e demokracisë, humanitetit dhe lirisë të përgjithshme të popujve në mbarë botën".

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i lirisë, demokracisë, barazisë, perspektivës dhe zhvillimit teknologjik e shkencor në përmasa globale, duke e bërë vendin tuaj vend të idealeve dhe rritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale”, thekson kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ai vlerëson se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo periudhë historike kanë mbrojtur popujt liridashës, në mesin e të cilëve edhe popullin e Kosovës, duke na ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë të lirisë dhe pavarësisë.

"Shembulli i fuqisë, parimeve dhe rrezatimit global të SHBA-ve është frymëzues dhe udhërrëfyes edhe për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, që me vendosmëri janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlerave të forcimit të bashkëpunimit rajonal, vlera këto që do të mundësojnë integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO”, shprehet kryeministri Thaçi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›