E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Të subvencionohen shtresat e prekura nga kriza

Qeveria ka dështuar me politikat ekonomike. Kryetari i KDK-së të LSI-së, Edmond Haxhinasto, duke mbështetur qëndrimet e misionit të FMN-së në Tiranë në lidhje me situatën ekonomike, tha se qeveria "Berisha" ka dështuar. 

"Kjo qeveri, e pazonja të trajtonte në kohën e duhur problematikat e krizës ekonomike, është e detyruar të ndërhyjë sot me politika afatshkurtra për amortizimin e tyre, në vend që të diskutonte dhe të hartonte politikat për të garantuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, reflektimin e saj të prekshëm tek cilësia e jetës së qytetarëve. Kjo situatë ekonomike po shton çdo ditë e më shumë potencialin e riskut të destabilizimit edhe të treguesve makroekonomike të vendit", u shpreh Haxhinasto. Përfaqësuesi i lartë i LSI-së i kërkoi qeverisë të ndërhyjë për të zbutur efektin e krizës së çmimeve. "Të realizohet urgjentisht skema e subvencionimit të shtresave më të prekura e në nevojë nga rritja e çmimeve, kryesisht të atyre ushqimore", shtoi Haxhinasto. Duke kërkuar përcaktimin e strategjive të qarta për zhvillimin, Haxhinasto kërkoi nga qeveria zgjidhjen e problemit të energjisë. "Është e domosdoshme që kjo qeveri të marrë seriozisht çështjen e zgjidhjes së krizës energjetike, si çështja e parë prioritare zhvillimore në vend, në mënyrë që të mos shtojë më tej koston e jetesës mbi qytetarin shqiptar dhe të mos mbysë biznesin, sidomos prodhimin vendas", vijoi Haxhinasto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›